Konjufca takon përfaqësues të Mikronezisë dhe Ishujve Marshall
V.Th / RTKLive
Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka zhvilluar takime dypalëshe me përfaqësues të lartë të Mikronezisë dhe Ishujve Marshall.
Takimet u zhvilluan në kuadër të Takimit të 55-të të Liderëve të Forumit të Ishujve të Paqësorit, që po mbahet në Palau.
Konjufca u takua me sekretarin e Departamentit të Punëve të Jashtme të Shteteve Federative të Mikronezisë, Ricky F. Cantero, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, çështje me interes të përbashkët dhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit.
“Të dyja palët shprehën gatishmërinë për të intensifikuar kontaktet dypalëshe dhe për të identifikuar fusha të reja të bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ndërkaq, Konjufca zhvilloi takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Ishujve Marshall, Kalani R. Kaneko.
Sipas njoftimit, në këtë takim u diskutua thellimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Ishujve Marshall, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.
“Palët riafirmuan gatishmërinë për të vazhduar forcimin e marrëdhënieve dhe të dialogut ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.























