Rudiger i jep fund karrierës me Gjermaninë
BKT
Sport

Rudiger i jep fund karrierës me Gjermaninë

Uran Krasniqi / RTKLive

Mbrojtësi i njohur gjerman, Antonio Rudiger, ka njoftuar tërheqjen nga kombëtarja e Gjermanisë.

Tridhjetë e tre vjeçari e ka mbyllur karrierën me "pancerët" pas tetëdhjetë e gjashtë paraqitjeve.

Rudiger e ka bërë të ditur vendimin e tij të martën përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se dëshiron t'u hapë rrugë futbollistëve të rinj.

“Pas një periudhe reflektimi, ka ardhur momenti që t'i jap fund karrierës sime me kombëtaren dhe t'i hap rrugë gjeneratës së re”, ka shkruar Rüdiger.

Mbrojtësi qendror kishte debutuar me Gjermaninë në vitin 2014, pak kohë para se kombëtarja gjermane ta fitonte Kupën e Botës në Brazil. Megjithatë, ai nuk ishte pjesë e skuadrës që udhëtoi për turneun e madh.

Rudiger tani do të fokusohet plotësisht te klubi i tij, Real Madrid, me të cilin ka kontratë deri në fund të këtij sezoni.

“Për mua tani fillon një kapitull i ri, në të cilin do të fokusohem tërësisht te klubi im”, ka deklaruar futbollisti gjerman.

Ndeshja ndaj Paraguait në Kupën e Botës 2026 ishte edhe paraqitja e fundit e Rudiger me fanellën e Gjermanisë.

“Edhe pse titulli i madh na mungoi në turnetë e fundit dhe përjetuam disa humbje të dhimbshme, kjo periudhë ka qenë një kapitull jashtëzakonisht i veçantë për mua dhe do të më formësojë përgjithmonë”, ka shtuar ai.

Momenti më i madh i Rudiger me kombëtaren mbetet triumfi në Kupën e Konfederatave në vitin 2017.