Hajdari thotë se gjashtë deputetët e LDK-së po çojnë vendin drejt zgjedhjeve
V.Th / RTKLive
Publicistja Fatime Hajdari në emisionin "RTK Prime" në RTK ka thënë se gjashtë deputetët e LDK-së që kundërshtojnë bashkëpunimin me Vetëvendosjen po ndjekin një agjendë që, sipas saj, mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
Hajdari ka vlerësuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vepruar drejt në procesin e negociatave.
“Mendoj që zoti Abdixhiku ka vepruar mirë, marrë parasysh që edhe nuk kemi kohë në pafundësi për të pritë për të marrë aprovimin dhe miratimin e gjithsecilit”, ka thënë Hajdari.
Ajo ka deklaruar se kundërshtimi i deputetëve lidhet me zhvillime të brendshme në LDK.
“Të gjithë të tjerët të cilët nuk e pranojnë këtë fakt, nuk e pranojnë faktin që lideri i tyre t’i përfaqësojë dhe të propozojë dikë, kanë telashe të brendshme”, është shprehur ajo.
E pyetur nëse gjashtë deputetët po ndjekin agjendën e PDK-së, Hajdari është përgjigjur: “Po, megjithatë po shihet kush ka interes për ta shtyrë vendin në një proces të ri zgjedhor”.























