Cigaret elektronike pranë shkollave, IQMT shqipton 3 gjoba
M.Sh/RTKLive
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, veçanërisht në bizneset pranë shkollave.
Gjatë ditës së sotme, ekipet e IQMT-së kanë kryer 18 inspektime në Prishtinë, Prizren, Fushë Kosovë, Rahovec, Istog, Shtime dhe Podujevë.
Gjatë kontrolleve, inspektorët kanë urdhëruar largimin e menjëhershëm të cigareve elektronike nga shitja në subjektet pranë institucioneve arsimore.
Për mosrespektim të dispozitave ligjore dhe urdhrave të inspektorëve, janë shqiptuar tri gjoba, ndërsa janë realizuar edhe dy sekuestrime.
IQMT-ja ka njoftuar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha rajonet e Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së të miturve.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht prindërve, që të raportojnë rastet e shitjes së cigareve elektronike te të miturit pranë shkollave.























