Analistët për LDK-në: Abdixhiku nën presionin e kundërshtimeve të brendshme
K. Kasumi / RTKlive
Përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës janë bërë temë e debatit në emisionin “RTK Prime”, në një kohë kur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca, tha se partia është katandisur në një situatë të vështirë, duke e lidhur krizën me mënyrën e udhëheqjes së saj në vitet e fundit.
“Fatkeqësisht duhet të pajtohem me një pjesë të konstatimit se LDK-ja është katandisur në një situatë jo të mirë”, tha Grainca.
Ai shprehi kritika ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku, duke pretenduar se mënyra e menaxhimit të procesit të bisedimeve me Vetëvendosjen ka krijuar pakënaqësi brenda partisë.
Sipas Graincës, çështja nuk lidhet vetëm me emrin e kandidatit për president, por mbi të gjitha me procedurat e brendshme të LDK-së.
Publicistja Fatime Hajdari tha se tensionet në LDK janë të dukshme dhe se situata aktuale është reflektim i përplasjeve të brendshme në këtë subjekt politik.
Ajo u shpreh skeptike edhe ndaj pretendimit se LDK-ja do të mund të ringrihet si “feniks”.
“Realistisht LDK-ja, në procesin e fundit zgjedhor që ka fituar, ka qenë në vitin e largët 2004, kur presidenti Rugova ishte gjallë”, tha Hajdari.
Sipas saj, përplasjet e fundit nuk janë vetëm një mosmarrëveshje rreth një kandidature, por tregojnë për një problem më të thellë brenda partisë.
Hajdari tha se Abdixhiku, pavarësisht kritikave, është kryetar i zgjedhur i LDK-së dhe se goditja ndaj tij nga figura të partisë e dobëson vetë subjektin politik.
“Ta godasësh tëndin për arsye se nuk mund ta dëmtosh tjetrin që është kundërshtar politik, atëherë problemi është i brendshëm”, deklaroi ajo.
Kurse analisti Sadik Zeqiri foli për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si është zhvilluar procesi.
Ai tha se emri i kandidatit duhej të diskutohej dhe të konsultohej paraprakisht me deputetët e LDK-së.
“Kryesia e Lidhjes Demokratike nuk e voton në Kuvendin e Kosovës, por në Kuvendin e Kosovës votojnë deputetët”, tha Zeqiri.
Sipas tij, mungesa e konsultimit me grupin parlamentar e vështirëson mundësinë që një kandidat të sigurojë votat e nevojshme në Kuvend.
Zeqiri e cilësoi qasjen e Abdixhikut si një gabim politik që, sipas tij, e ka futur LDK-në në një pozitë të vështirë në procesin e formimit të institucioneve.























