Dardha e Zajçecit sfidon lartësinë dhe tregun/Video
Fadil Sertolli/RTK
Në 12 hektarë pemishte, në lartësi mbidetare deri në 1 mijë e 100 metra, në fshatin Zajçec të Kamenicës, kultivohen mollë, qershi dhe dy lloje dardhash. Përkundër tokës së cilësisë së ulët dhe sfidave të tregut, qasja profesionale dhe masat mbrojtëse po mundësojnë rendimente të mira.
Në vijën kufitare me Serbinë, në fshatin Zajçec të komunës së Kamenicës, shtrihet një pemishte e cila nis në 900 dhe përfundon në 1 mijë e 100 metra lartësi mbidetare.
Në 12 hektarët e kësaj pemishte kultivohen mollë, qershi dhe dy lloje të dardhave.
Pronari dhe menaxhuesi i plantacionit, Naim Huruglica, tregon se në këtë pemishte vjeljet kanë filluar të realizohen tash e pesë vjet.
Në këtë pemishte kultivohen dy lloje të dardhave. Falë kushteve të mira klimatike, këtë vit rendimenti edhe te dardha verore është më i mirë sesa vitin e kaluar.
Huruglica shpjegon se, pavarësisht faktit se toka ku kultivohen pemët është e cilësisë së ulët, përmes qasjes profesionale po arrijnë të realizojnë rendimente të larta nga pemët që kultivojnë.
Si kulturë, dardha renditet ndër pemët që kanë jo pak sfida për kultivim. Prekja e madhe nga sëmundjet ka bërë që sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë të jenë të pakta në vendin tonë.
Lartësia e madhe mbidetare bart me vete rreziqet e lëvizjes së temperaturave dhe nuk ofron toka të cilësisë së lartë, por, në anën tjetër, ndikon pozitivisht në uljen e sëmundjeve dhe dëmtuesve te pemët.
Dardha është ndër kulturat që ka nevojë të lartë për ujë.
Nga 12 hektarët e kësaj pemishte në Zajçec të Kamenicës, nëntë prej tyre janë të mbuluara me sistem kundër breshrit. Huruglica thotë se para zbatimit të këtij sistemi mbrojtës, pemishtja çdo vit dëmtohej nga breshri.
Sa i përket sigurimit të produktit bujqësor, si formë e mbrojtjes nga dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, Huruglica thotë se më mirë është që bujqit të investojnë në masa agroteknike mbrojtëse sesa në sigurimin e produktit bujqësor.
Shitja, thotë ai, është e mirë, ndërsa çmimi varion nga viti në vit. E rëndësishme, sipas Huruglicës, është që shitja të mos ndalet.
Huruglica tregon se pengesë për tregtimin e mirëfilltë të prodhimeve vendore është edhe liberalizimi i tregut, pasi vendet e rajonit, kur kanë tepricë të prodhimit, ulin çmimin e produkteve nën koston e prodhimit. Kjo, sipas tij, ndërpret tregtimin e mirëfilltë të produkteve vendore.
Zgjidhja për këtë çështje, thotë Huruglica, është zbatimi i ligjit kundër çmimeve të ulëta.
Sa u përket subvencioneve dhe granteve, pavarësisht rritjes së vlerës së tyre, Huruglica thotë se ato janë ende larg ndarjeve buxhetore që bëhen në shtetet e Bashkimit Evropian dhe nuk janë të mjaftueshme për fermerët kosovarë.
Forcimi i bujqësisë në vend, sipas Huruglicës, duhet të bëhet përmes rritjes së granteve, të cilat, siç thotë ai, kanë efekte të shumëfishta në ekonominë vendore.
Ndërkohë, dardhat e kultivuara në Zajçec të Kamenicës, Huruglica i tregton tash e një kohë, falë një bashkëpunimi të mirë me tregtarin Osman Fejza.
Fejza merret me tregtimin e pemëve dhe perimeve, kryesisht atyre vendore, në tregun e madh të Prishtinës.
Ai shprehet i kënaqur me cilësinë e produktit, ndërsa thotë se konsumatorët kanë filluar ta vlerësojnë dhe blejnë dita-ditës gjithnjë e më shumë prodhimin vendor.
Fejza shprehet se pengesë për shitjen më të madhe të produkteve vendore është tatimi prej 18 për qind që aplikohet në këto produkte.
Edhe tregtari Fejza, njësoj si prodhuesi Huruglica, sugjeron që Kosova të reagojë sa i përket dumpingut të çmimeve.
Mangësi për prodhuesit vendorë, sipas Fejzës, janë edhe mungesa e pajisjeve teknike që shërbejnë për kalibrim, si dhe mungesa e një ambalazhimi të mirëfilltë.
Në pemishten në Zajçec janë të punësuar pesë punëtorë të rregullt, ndërsa gjatë sezonit të vjeljes numri i punëtorëve shtesë të angazhuar arrin nga 12 deri në 15 veta.























