PDK-ja paralajmëron fazë të re të veprimit politik dhe juridik
Arbresha Berisha | RTK
Partia Demokratike e Kosovës bashkë me Aleancën janë mbledhur sërish në Kuvendin e Kosovës nga ku kanë ngritur kritika për moskonstituimin e këtij organi.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza tha se tani e tutje do të ndërmarrin veprime tjera, siç tha ai, për ta kthyer ligjshmërinë.
"Me javë të tëra deputetët e PDK-së dhe Aleancës kanë kërkuar atë që nuk do të duhej të kërkohej në një shtet demokratik, që të respektohet Kushtetuta. Përball kërkesave tona kemi pasur heshtje dhe refuzim. Kur nuk të pëlqen një vendim i Gjykatës Kushtetuese, nuk sillesh sikur ai nuk ekziston. Në njërën anë Kuvendi mbetet i bllokuar, në anën tjetër qeveria sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur”, tha Hamza.
Sipas tij, tani kemi ardhur te një absurd të ri, ku siç tha, tashmë nuk po shkelen vetëm afatet dhe obligimet që burojnë nga rendi kushtetues por edhe afati sipas interpretimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Tani seanca po thirret me 9 shtator. Kosova ka paguar çmim shumë të lartë për institucionet e saj që sot dikush t’i trajtoj si peng i interesit të saj”, tha ai.
Hamza tha se PDK nuk do të pranojë që të vazhdohet shkelja e Kushtetutës.
“Nuk do të pranojë që shkelja e Kushtetutës të bëhet praktikë. Nga sot PDK do ta rimendoj mënyrën e veprimit të saj. Ne kemi bëre gjithçka që proceset politike të ecin para. Jemi takuar dhe kemi kërkuar institucione. Kemi kërkuar respektim të afateve. Nuk mund të presim pafundësisht që një pushtet ta respektoj shtetin. Andaj do shqyrtojmë forma tjera të veprimeve", ka deklaruar Hamza.
Kritika ngriti edhe deputeti i AAK-së, Burim Ramadani. "Janë tri dimenzione të shkeljeve që po ndodhin. Afatet kushtetuese janë shkelur në mënyrë të vrazhdë. Interpretimet e LVV-së lidhur me afatet kohore janë shkelur dhe së treti ka shkelje të rëndë të obligimit moral e qytetarë për t'i dhënë shtetit institucione. Ne e kemi të qartë se Dehari gjatë kësaj kohe ka vepruar si vegël e Albin Kurtit. Dhe Kurti pa pyetur askënd dhe as Vetëvendosjen ka vazhduar me shkelje të Kushtetutës", ka shtuar ai.























