Forumi në Cernobbio, Rama: S’na duhet vetoja për t’u ulur në tryezën e BE
BKT
Shqipëri

Forumi në Cernobbio, Rama: S’na duhet vetoja për t’u ulur në tryezën e BE

RTSH

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka komentuar perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke u ndalur te çështja e së drejtës së vetos dhe te prirjet nacionaliste në disa vende evropiane.

Duke folur në Forumin “Intelligence on the World, Europe and Italy”, Rama tha se Shqipërisë nuk i nevojitet domosdoshmërisht kompetenca e vetos për t’u bërë pjesë e proceseve dhe tryezave evropiane.

Sipas tij, integrimi gradual është mënyra më e mirë për ta afruar Shqipërinë me BE-në.

“Integrimi gradual është mënyra e vetme për të na futur brenda dhe për ta nisur nga pjesa reale: tregu i përbashkët, të qenit pjesë e Evropës së universiteteve, shkëmbimeve, të të gjithë elementëve shumë të rëndësishëm, para se të mendojmë për pjesën tjetër. Nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk besoj se disa kryeqytete do të kenë aftësinë t’i thonë publikut: ‘Do ta marrim Shqipërinë me kompetencën e vetos’. Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës. Imagjinoni të kesh edhe 7 të marrë të tjerë të ulur rreth asaj tryeze. Do të ishte më mirë për Evropën dhe për ne”, vijoi Rama.

Rama ka propozuar një qasje të re për integrimin e vendeve kandidate në Bashkimin Evropian, duke argumentuar se ato duhet të përfshihen në tryezën evropiane gjatë procesit të përmbushjes së reformave dhe jo të presin mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave.

“Ajo që duhet të ndryshojë është radha e veprimit: jo më parë 33 kapituj dhe më pas vendimi politik”, deklaroi Rama, duke propozuar që vendet kandidate të përfshihen gradualisht në strukturat dhe politikat e BE-së. Të 7 fëmijët, përfshirë Ukrainën, duhet të jenë në tryezë si fëmijët e Ursulës. Si fëmijë duhet të dëgjojnë babanë dhe nënën, Francën dhe Gjermaninë, pastaj tezen Itali dhe të tjerët. Por duhet të jenë rreth asaj tryeze, ndërkohë që përmbushin kriteret”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, procesi duhet të funksionojë mbi bazën e integrimit gradual, ku çdo kapitull i përmbushur sjell të drejta konkrete për vendin kandidat.

“Çdo kapitull që përmbyllin i bën anëtarë brenda suazës së atij kapitulli. Nëse mbyll kapitullin për shkencën, për atë bëhesh anëtar dhe ke të njëjtat të drejta. Çdokush që duhet të marrë më shumë nga tryeza, i jep më shumë tryezës, por duhet të jenë të pranishëm”, tha Rama.

Më tej, Rama ngriti shqetësimin për rritjen e prirjeve nacionaliste në disa vende evropiane, të cilat, sipas tij, bien ndesh me idenë e një Evropë të bashkuar.

“Ajo që shoh si problem të jashtëzakonshëm kur bëhet fjalë për unitetin dhe të ardhmen e përbashkët janë prirjet nacionaliste që shohin vetëm nga brenda në shumë vende të Evropës, në një kohë që ato duhet të ishin fari i Bashkimit Evropian. Për ne, kjo është dëshpëruese”, u shpreh Rama.


MË SHUME NGA Shqipëri