Begaj në Frashër për 245-vjetorin e Teqesë: Kujtesë për historinë dhe harmoninë
M.Sh/RTKLive
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka qëndruar sot në Frashër, ku ka marrë pjesë në përkujtimin e 245-vjetorit të Teqesë së Frashërit.
Begaj tha se Frashëri është një vend ku besimi, historia dhe kujtesa kombëtare janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.
Në fjalën e tij, presidenti shqiptar kujtoi edhe rëndësinë e familjes së Frashërve, duke veçuar figurat e Abdyl, Naim dhe Sami Frashërit, të cilët, sipas tij, i dhanë dritë dhe udhë kombit shqiptar.
“Frashëri nuk u dha atyre vetëm djepin, u dha frymën, gjuhën e ëmbël, gjuhën shqipe, dhe një dashuri për atdheun që nuk u shua kurrë”, u shpreh Begaj.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e harmonisë fetare shqiptare, duke e cilësuar atë si një nga vlerat më të çmuara të shoqërisë shqiptare.
Sipas Begajt, kjo harmoni është ndërtuar ndër breza edhe në vende si Teqeja e Frashërit, ku njerëzit kanë ruajtur besimin e tyre, ndërsa tek tjetri kanë parë bashkëkombësin, fqinjin dhe vëllanë.
“Kjo është një nga trashëgimitë tona më të çmuara”, tha presidenti Begaj.























