Kurti: Po zhvillojmë bisedime për presidentin, synojmë të shmangim zgjedhjet
Sh.Çoçaj/RTKlive
Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lider i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se bisedimet mes subjekteve politike për zgjedhjen e presidentit do të vazhdojnë, me synimin që vendi të mos shkojë sërish në zgjedhje.
Kurti tha se aktualisht është duke komunikuar me përfaqësues të tjerë politikë, duke e cilësuar të panevojshme përsëritjen e procesit zgjedhor.
“Vazhdojmë me takime, bisedime në mënyrë që ta zgjedhim presidentin dhe të mos kemi nevojë t’i përsërisim zgjedhjet që janë të paarsyeshme”, deklaroi Kurti.
Ai tha se komunikimi politik për këtë çështje është duke vazhduar, ndërsa u përgjigj edhe lidhur me paralajmërimet e disa deputetëve për bojkotimin e procesit të zgjedhjes së presidentit.
“Unë jam vazhdimisht me të tjerët”, tha Kurti, duke shtuar se për qëndrimet e atyre që kanë paralajmëruar bojkot, pyetjet duhet t’u drejtohen vetë atyre.
Deklaratat e Kurtit vijnë në kohën kur procesi i zgjedhjes së presidentit mbetet një nga çështjet kryesore politike në vend, ndërsa partitë po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për të shmangur një krizë të re institucionale dhe mundësinë e zgjedhjeve të përsëritura.























