Qytetarët vijojnë protestën në Tiranë
BKT
Shqipëri

Qytetarët vijojnë protestën në Tiranë

ATSH

Pas protestës së zhvilluar para Kuvendit, qytetarët kanë nisur  marshimin nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, duke vijuar protestën e 101-të kundër investimit në Zvërnec.

Gjatë lëvizjes së tyre janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike.

Protesta nisi në orën 17:00 para godinës së Kuvendit, ku gjatë pasdites u shënuan edhe tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Disa qytetarë janë shoqëruar nga efektivët e Policisë së Shtetit pas përplasjeve dhe bllokim të akseve rrugore.

Pas qëndrimit për disa minuta në formën e një akti të mosbindjes civile përpara Kryeministrisë, protestuesit u nisën në marshim në drejtim të Drejtorisë së Policisë së Tiranës aty ku dhe janë shoqëruar disa protestues.

Pas qëndrimit pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, protestuesit kanë ndryshuar itinerarin e marshimit, duke u drejtuar drejt zonës së 21-Dhjetorit.

Protestuesit janë ndalur te ura e Vasil Shantos, ku kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin e mjeteve, duke shkaktuar vështirësi në lëvizjen e automjeteve në këtë aks.

Gjatë protestës, ata kanë bërë thirrje për lirimin e personave të shoqëruar në komisariatet e kryeqytetit.

E emërtuar si “Revolucioni Flamingo”, protesta nisi më 31 maj si reagim kundër ndikimit mjedisor të projektit turistik në Zvërnec.

Tashmë pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale dhe shprehin shqetësimet e tyre për korrupsionin, mundësitë e punësimit dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Aktivistët kanë paralajmëruar gjithashtu vijimin e protestës dhe përshkallëzimin e aksionit qytetar.


MË SHUME NGA Shqipëri