Mbrojtja: Nuk ka prova që Thaçi ka ndërhyrë te dëshmitarët
BKT
Gjykata Speciale

Mbrojtja: Nuk ka prova që Thaçi ka ndërhyrë te dëshmitarët

E.H & Sh.Ç/RTKlive

(E plotësuar, ora 18:00) Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka përfunduar sot deklaratën përmbyllëse në rastin për veprat kundër administrimit të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pas saj, ka nisur deklaratën përmbyllëse Mbrojtja e Bashkim Smakajt. Seanca përfundoi dhe do të vazhdojë nesër në orën 09:30.

(E plotësuar) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, mbrojtësja e Hashim Thaçit, avokatja Sophie Menegon kërkoi që ndaj klientit të saj të merret aktgjykim lirues

Gjatë paraqitjes së argumenteve, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, ka kritikuar provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke pretenduar se ato mbështeten në interpretime të gabuara të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale lidhur me akuzat dhe format e përgjegjësisë.

Mbrojtja ka ngritur shqetësime edhe lidhur me transkriptet e vizitave në qendrën e paraburgimit, duke pretenduar se ato janë përgatitur nga personel i ZPS-së pa një ndarje të mjaftueshme ndërmjet personave përgjegjës për transkriptimin dhe atyre të përfshirë në hetime.

Sipas mbrojtjes, ZPS-ja është mbështetur gjithashtu në disa dokumente që pretendohet se janë printuar nga qendra e paraburgimit, por nuk ka arritur të dëshmojë se ishte vetë Thaçi ai që i kishte printuar ato.

Mbrojtja ka kundërshtuar edhe interpretimin e kontakteve të pretenduara mes disa prej personave , duke argumentuar se këto kontakte nuk mund të lidhen automatikisht me çështjen “06”, pasi, sipas saj, ekzistonin edhe marrëdhënie të mëparshme profesionale dhe personale mes tyre.

Një nga argumentet kryesore të mbrojtjes ishte se, pavarësisht pretendimeve të ZPS-së për një plan për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve, asnjë ndërhyrje e tillë nuk ka ndodhur.

“I nderuar gjykatës, ju mund të pyesni nëse narrativa e ZPS-së ka në të vërtetë ndonjë kuptim. Nëse është harxhuar kaq shumë energji për të planifikuar ndërhyrjen ndaj dëshmitarëve, pse nuk ka ndodhur kjo ndërhyrje. ZPS-ja nuk e ka shpjeguar një gjë të tillë.I nderuar gjykatës, ju mund të arrini në përfundimin se asnjë ndërhyrje ndaj dëshmitarëve nuk ka ndodhur pikërisht sepse të akuzuarit nuk kanë pasur kurrë synimin për ta bërë një gjë të tillë.”, ka argumentuar mbrojtja,

Avokatja Menegon ka theksuar se për përcaktimin e përgjegjësisë apo mospërgjegjësisë penale të Thaçit duhet të merret parasysh ligji i Kosovës, jurisprudenca vendore, legjislacioni i Dhomave të Specializuara dhe burimet përkatëse akademike.

Mbrojtja ka kërkuar që interpretimi i veprave penale dhe formave të përgjegjësisë nga Dhomat e Specializuara të jetë në përputhje me praktikën e mëparshme gjyqësore në Kosovë dhe me parimin e gjykimit të drejtë.

ZPS kërkon 6 vjet burgim për Thaçin, nga 3 vjet për Smakajn, Kilajn e Fazliun

(E plotësuar, ora 13:57)  Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar dënime me burgim për pesë të akuzuarit në gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Në fjalën përfundimtare, ZPS-ja ka kërkuar që Hashim Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu me nga tre vjet burgim, ndërsa Hajredin Kuçi me nëntë muaj burgim.

“Bazuar në të gjitha provat, faktet, Prokuroria kërkon që të merrni një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet. Pra, fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh në dënimin e zbatueshëm në këtë rast”, ka thënë Prokuroria.

ZPS-ja ka kërkuar që dënimet të shqiptohen siç i ka propozuar, duke specifikuar nëntë muaj burgim për Kuçin, tre vjet për Fazliun, tre vjet për Kilajn, tre vjet për Smakajn dhe gjashtë vjet për Thaçin.

Për Thaçin, Prokuroria ka kërkuar që dënimi i mundshëm të vuhet në vijim të ndonjë dënimi që mund të shqiptohet në çështjen tjetër gjyqësore ndaj tij.

“Prokuroria kërkon që të jepni një vendim siç është kërkuar; për Kuçin 9 muaj burgim, për Fazliun 3 vjet burg, Kilajn 3 vjet burgim, Smakajn 3 vjet burgim dhe Thaçi 6 vjet burgim, që do vuhet në vijim të ndonjë dënimi që mund të jepet në çështjen 6 nëse do të jepet”, ka deklaruar ZPS-ja.

Prokuroria në Hagë: Incizimet dëshmojnë ndërhyrjen te dëshmitarët|Video

Në Hagë, Prokuroria e Specializuar ka nisur deklaratat përfundimtare në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe bashkëakuzuarve, duke pretenduar se ata kanë ndërhyrë te dëshmitarët. Prokuroria u mbështet në regjistrime audio dhe dokumente që, sipas saj, dëshmojnë këto përpjekje.

Prokurori Joshua Hafetz ka deklaruar se Hashim Thaçi, sipas Prokurorisë, ka nxjerrë në mënyrë të vazhdueshme informacione konfidenciale dhe ka shkelur rregullat e gjykatës.

Hafetz tha se në kuadër të çështjes gjyqësore janë pranuar rreth 28 orë incizime të Thaçit, të realizuara gjatë nëntë vizitave të veçanta në një periudhë prej katër muajsh.

“Bashkë të akuzuarit, shokë të vjetër të Hashim Thaçit, secili prej tyre iu bashkua z. Thaçit në këtë veprim”, deklaroi Hafetz.

Sipas tij, qëllimi kryesor i Thaçit dhe të bashkëakuzuarve ishte ndikimi te dëshmitarët që ai kishte përzgjedhur.

“Ajo që kishte rendësi për Thaçin dhe të bashkë të akuzuarit është që dëshmitarët që kishte zgjedhur Thaçi për ndërhyrje duhet të thonin dhe të bënin atë që donte Thaçi”, tha ai.

Prokurori kritikoi gjithashtu mënyrën se si mbrojtja ka paraqitur çështjen, duke pretenduar se ajo ka shmangur faktet që, sipas tij, dalin nga incizimet.

“Të gjitha komentet e mbrojtjes që nga fillimi e kanë shmangur realitetin, këtë realitet kaq të thjeshtë. Pra, ta largonin vëmendjen e Gjykatës nga këto fakte që kishte para syve. Me fjalë të tjera ta shpërqendronin në mënyrë të vazhdueshme Gjykatën. Mbrojtja do që kjo Gjykatë ta fusë kokën në rërë dhe të mos shoh atë që është përpara syve”, u shpreh Hafetz.

Ai tha se përmbajtja e incizimeve e bën të pamundur, sipas tij, që faktet të fshihen, pasi veprimtaria për të cilën akuzohet Thaçi është regjistruar brenda qendrës së paraburgimit në Hagë.

“Përmbajtja e incizimeve është tronditëse për Thaçin dhe bashkë të akuzuarit. Arsyeja është se vizitë pas vizite, Thaçi ka folur me një zë normal për temat e përditshme dhe më pas e ulte zërin dhe pëshpëriste për të dhënë udhëzime konkrete se çfarë duhet të iu thonin vizitorët dëshmitarëve. Këtë e ka bërë me muaj të tërë dhe udhëzimet e tij e kishin një praktikë të ngjashme; për të zbehur akuzat në çështjen 06”, deklaroi ai.

Sipas Hafetz, mbrojtja ka argumentuar se trupi gjykues nuk mund të mbështetet në asnjë pjesë të transkripteve dhe se orët e incizimeve duhet të lihen mënjanë.

Ai shtoi se në këtë pikë, mbrojtja është mbështetur në një dëshmitare e cila, sipas tij, ka dëgjuar vetëm pjesë të pacaktuara të transkriptimeve dhe ka krijuar vetëm një përshtypje të përgjithshme.

Hafetz pretendoi se kjo dëshmitare nuk ka qenë në gjendje t’u përgjigjet as pyetjeve bazë lidhur me metodologjinë që ka përdorur gjatë hulumtimit të saj.

Hafetz ka deklaruar se dëshmia e Rrustem Mustafës në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në rastin për krime lufte, ishte në shënjestër të ndërhyrjeve nga ana e Thaçit.

“Mustafa dhe dëshmia e tij ishin në shënjestër të udhëzimeve të ndërhyrjes së Thaçit të cilat synoni në një pjesë të madhe të sigurohej që z. Mustafa të krijonte një distancë në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantëve të zonave që përputhej me narrative e Thaçit”, ka theksuar ai. 

Sipas tij, Mustafa është quajtur si dëshmitar kyç edhe gjatë vizitës së 2 korrikut të vitit 2023.

West: Thaçi dhe të bashkëakuzuarit synuan të ndikonin te dëshmitarët

(E plotësuar, ora 10:35) Prokuroria e Specializuar ka nisur deklaratën përfundimtare në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë nisur deklaratat përfundimtare në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Hajredin Kuçit dhe Isni Kilajt, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Fjalën në fazën e deklaratave përfundimtare e ka marrë kryeprokurorja e Prokurorisë së Specializuar, Kimberly West. Ajo argumentoi se provat e paraqitura gjatë procesit, përfshirë orë të tëra regjistrimesh audio dhe dokumente, dëshmojnë sipas Prokurorisë për përpjekje për të penguar procesin gjyqësor.

West tha se Hashim Thaçi kishte krijuar grupe të vogla bashkëpunimi me persona të akuzuar në këtë rast, të cilët, sipas saj, kishin lidhje me dëshmitarë të caktuar.

Sipas kryeprokurores, qëllimi ishte që dëshmitarët të ndryshonin ose përshtatnin rrëfimet e tyre në përputhje me atë që Thaçi dëshironte të dëgjohej në proces.

“Kjo është një çështje gjyqësore sa e thjeshtë po aq e komplikuar. Nga një anë kemi çështjen për një person që po përballët me akuza të rënda që ka mundësi për t’u dënuar për një kohë të gjatë. Bashkë me punëtorë të tij u përpoq ta pengonte këtë proces duke ndërhyrë në dëshmitë e këtyre dëshmitarëve dhe u kap. U kap me shumë orësh incizime dhe dokumente që konfirmojnë incizimet në fjalë”, tha Kimberly West.

Ajo më tej pretendoi se, pavarësisht se ndodhej në paraburgim, Thaçi kishte vazhduar të jepte udhëzime për mënyrën se si duhej të vepronin të bashkëakuzuarit e tij ndaj dëshmitarëve.

“Të përballësh me akuza që përfshijnë krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe duke qenë në paraburgim pjesërisht për shkak të rrezikut të pengimit Hashim Thaçi udhëzoi bashkë të akuzuarit, shokët e devotshëm, idealistet e patundur dhe ish-vartësit që të shënjestronin dëshmitarë dëshmia e të cilëve sipas tij ishte përfundimtare për përfundimin e kësaj çështje gjyqësore për krime lufte”, theksoi ajo.

Në vijim, West iu referua edhe regjistrimeve audio të publikuara nga ZPS-ja, përmes të cilave Prokuroria pretendon se Thaçi ka dhënë udhëzime lidhur me dëshmitarët që do të paraqiteshin para gjykatës.

Sipas saj, mesazhi që duhej t’u përcillej dëshmitarëve ishte i qartë.

Sipas West, "në një mënyrë ose tjetër, dëshmitarët duhet të kuptonin direktivën e Thaçit e cila ishte “mos shkaktoni asnjë dëm atje”.

West shpjegoi se, sipas interpretimit të Prokurorisë, “dëmi” i përmendur në këto komunikime lidhej me dëshminë që mund ta implikonte Thaçin.

“Dëmi në thonjëza ishte dëshmia që mund të implikonte Thaçin në vepra penale dhe atje në thonjëza nënkuptonte këtë Gjykatë”, tha ajo.

Kryeprokurorja pretendoi gjithashtu se Thaçi kishte orientuar të bashkëakuzuarit lidhur me mënyrën se si dëshmitarët mund të shpjegonin ndryshimet mes deklaratave të mëparshme dhe dëshmive të tyre.

“Thaçi udhëzoi të bashkë të akuzuarit se si dëshmitarët duhet të thjeshtonin ndryshimet e nevojshme në deklaratat e mëparshme në mënyrë që të përshtateshin me narrative e pëlqyer nga z.Thaçi. Për shembull që dëshmitari të thoshte se deklarata ka pasur probleme përkthimi ose që ka qenë i lodhur dhe i ka ngatërruar gjërat, a po që kanë qenë thjeshtë thashetheme”, tha ajo.

Nis seanca e deklaratave përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur sot seanca e deklaratave përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Nisin deklaratat për administrimin e drejtësisë për Thaçin dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot nisin deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, lidhur me akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Seanca do të nisë në orën 09:30, ndërsa deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të zhvillohen gjatë tri ditëve, më 10, 11 dhe 14 shtator. Sipas urdhrit të gjykatës, seancat mund të zgjasin deri në orën 17:15.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të ketë tri orë në dispozicion për paraqitjen e deklaratave përmbyllëse, ndërsa ekipet e Mbrojtjes do të kenë nga 45 minuta deri në dy orë për argumentet e tyre përmbyllëse.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, ndërmjet 12 prillit dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi dyshohet se u ka dhënë Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e ZPS-së, si dhe udhëzime për mënyrën se si pretendohet se duhej të ndikohej në dëshmitë e tyre.

Aktakuza pretendon gjithashtu se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara përkatësisht me Smakajn, Fazliun dhe Kilajn, si dhe persona të tjerë ndaj të cilëve nuk janë ngritur akuza, ndërsa një grup tjetër lidhej me Kuçin.

Sipas Prokurorisë, këto veprime kishin për qëllim ndikimin në dëshmitë e dëshmitarëve të saj, në kontekstin e gjykimit për krime lufte ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Të akuzuarit i kanë kundërshtuar akuzat ndaj tyre dhe kanë deklaruar se janë të pafajshëm.

Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja do të kalojë në fazën e vendimmarrjes, ku gjykatësi do të vlerësojë provat dhe argumentet e paraqitura nga palët.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale