Mbrojtja e Kilajt: Nuk kishte synim për pengimin e e drejtësisë|Video
Sh.Ç/RTKlive
(E plotësuar) Deklaratat përmbyllëse të Mbrojtjes përfunduan; seanca rinis të hënën.
(E plotësuar) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vazhduar paraqitja e fjalëve përfundimtare të mbrojtjes në rastin ku Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në fjalën përfundimtare, avokati i Isni Kilajt, Ian Edwards, ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke argumentuar se veprimet e klientit të tij nuk dëshmojnë ekzistencën e një synimi për të penguar drejtësinë.
Kilaj, së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, akuzohet për vepra penale që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Edwards tha se mbrojtja vazhdon të konsiderojë të pabaza provat e paraqitura nga Prokuroria, qëndrim të cilin, sipas tij, e kanë mbajtur edhe në shkurt të vitit 2026.
“Provat e Prokurorisë ndaj Kilaljt mund të kenë një shanse tejet të vogël që të rezultojnë në shpalljen fajtor”, tha ai.
Mbrojtja ka kundërshtuar edhe provat që lidhen me incizimet e fshehta, duke vënë në pikëpyetje si besueshmërinë e tyre, ashtu edhe saktësinë e transkripteve.
“Ne nuk pranojmë asgjë sa i përket mbështetshmërisë së incizimeve të fshehta apo saktësisë së transkripteve të tyre”, tha ai.
Sipas Edwards, pas vizitës së Kilajt te Thaçi në Hagë, klienti i tij nuk ka ndërmarrë veprime që do të mund të lidhnin atë me ndërhyrjen te dëshmitarët apo me pengimin e drejtësisë.
Ai theksoi se Kilaj nuk ka telefonuar dhe as nuk ka takuar ndonjë dëshmitar pas kësaj vizite.
Për mbrojtjen, kjo rrethanë dëshmon se mungonte qëllimi për kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet.
“Gjithçka tjetër është baltë që Prokuroria po hedh në z.Kilaj me shpresën që një pjesë e kësaj balte ta baltosë atë”, tha avokati.
Mbrojtja e Smakajt: Fjalët me Thaçin s’cenojnë drejtësinë
Gjatë paraqitjes së tij, avokati i Bashkim Smakajt, Jonathan Elystan Rees, kundërshtoi interpretimin e Prokurorisë për deklaratat e bëra gjatë takimeve ndërmjet Smakajt dhe Thaçit.
Rees argumentoi se shprehje si “tregoi atij”, “thuaj atij” dhe “thjeshtësoja që të mos i përziej gjërat” nuk mund të konsiderohen, sipas mbrojtjes, si veprime që përbëjnë vepër penale apo cenojnë administrimin e drejtësisë.
“Nuk ka lidhje fare ndërmjet këtyre fjalëve dhe komprometimit dhe hetimit efektiv të Prokurorisë apo sigurisë së dëshmitarëve”, deklaroi Rees.
Ai tha se udhëzimet për dhënien e përgjigjeve të shkurtra dhe të qarta janë të zakonshme dhe nuk mund të interpretohen automatikisht si përpjekje për të ndikuar në dëshmitarë.
“Pra janë jokonsistente se udhëzimet e tilla që përgjigjet e tilla të jenë të shkurtra, të shprehen qartë janë udhëzimet të cilat jepen në mënyrë të përgjithshme dhe të zakonshme në të gjithë botën, në të gjitha ambientet e ngjashme”, tha avokati.
Sipas tij, këto deklarata nuk kanë lidhje me pretendimin e Prokurorisë se përmes tyre është cenuar procesi gjyqësor.
“Janë udhëzime që përdorën në mënyrë të zakonshme dhe janë fjalë të cilat nuk kanë lidhje me pretendimin e Prokurorisë së këto fjalë përbëjnë cenim të dëshmitarëve ose administrimin e drejtësisë”, u shpreh Rees.
Mbrojtja iu referua edhe dëshmitarit Bislim Zyrapi, për të cilin Prokuroria pretendon se është ushtruar ndikim. Rees tha se Zyrapi i ka deklaruar Prokurorisë se nuk e kishte diskutuar dëshminë e tij me Smakajn.
Avokati argumentoi gjithashtu se nuk ekziston ndonjë ndalesë ligjore për takimet ndërmjet Smakajt dhe Zyrapit, duke theksuar se ata kanë qenë miq të vjetër.
Të gjithë të akuzuarit po e ndjekin procesin gjyqësor përmes videolidhjes. Hashim Thaçi ndodhet në Hagë, ndërsa të akuzuarit e tjerë e ndjekin seancën nga Kosova.
Një ditë më herët, Prokuroria kishte paraqitur deklaratën përfundimtare, duke kërkuar dënimin me burgim për të akuzuarit. Në anën tjetër, mbrojtja e Hashim Thaçit kërkoi lirimin e tij nga akuzat.
Vazhdojnë deklaratat përfundimtare për akuzat ndaj administrimit të drejtësisë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po vazhdojnë deklaratat përfundimtare në çështjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. Thaçi po e ndjek seancën nga qendra e paraburgimit ndërsa të akuuarit tjerë nga Kosova.
Të akuzuarit po përballen me akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Gjatë seancave për deklaratat përfundimtare, mbrojtja e të akuzuarve po paraqet argumentet e saj lidhur me akuzat dhe provat e administruara gjatë procesit gjyqësor.
Në seancën e së mërkurës, mbrojtja e Hashim Thaçit kërkoi që ai të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga të gjitha akuzat.
Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kërkoi që të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen për veprat për të cilat akuzohen.
Pas përfundimit të deklaratave përfundimtare të palëve, pritet që çështja të hyjë në fazën e vendimmarrjes së trupit gjykues.
Vazhdon seanca përfundimtare në rastin e pengimit të drejtësisë
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon sot seanca për paraqitjen e deklaratave përfundimtare në çështjen penale ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në seancën e së mërkurës, mbrojtja e Hashim Thaçit kërkoi që ai të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga të gjitha akuzat.
Avokatja e tij, Sophie Menegon, deklaroi se vendimi i trupit gjykues duhet të mbështetet në prova dhe jo në atë që ajo i cilësoi si spekulime të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
“Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime dhe që të jetë lirimi nga të gjitha akuzat”, tha Menegon.
Sipas mbrojtjes, dëshmitarët e përmendur nga prokuroria, përfshirë Rrustem Mustafën, Bislim Zyrapin dhe një dëshmitar të mbrojtur, gjatë marrjes në pyetje kanë mohuar se janë ndikuar nga Thaçi apo persona të tjerë.
Mbrojtja argumentoi se gjatë procesit nuk është dëshmuar ndonjë ndërhyrje konkrete në administrimin e drejtësisë dhe se ZPS-ja nuk ka arritur të provojë fajësinë e Thaçit përtej dyshimit të arsyeshëm.
Avokatja Menegon kritikoi gjithashtu mënyrën se si prokuroria ka trajtuar format e përgjegjësisë penale, duke pretenduar se aktakuza nuk është koherente në këtë aspekt dhe se akuzat nuk janë mbështetur me prova të mjaftueshme.
Mbrojtja vuri në pikëpyetje edhe dëshminë e ekspertit të prokurorisë, Koen Herlaar, duke e cilësuar metodologjinë e përdorur prej tij si problematike.
ZPS-ja kërkon dënime me burgim
Para deklaratave përfundimtare të mbrojtjes, ZPS-ja kërkoi që të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen.
Prokuroria kërkoi gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj burgim për Hajredin Kuçin.
Prokurori Joshua Hafetz tha se, sipas ZPS-së, veprimet e të akuzuarve janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe përbëjnë ndërhyrje në procesin gjyqësor.
Sipas aktakuzës dhe argumenteve të prokurorisë, Thaçi, gjatë qëndrimit në paraburgim në Hagë, kishte zhvilluar kontakte me persona të tjerë dhe kishte diskutuar për dëshmitë e dëshmitarëve në procesin e tij kryesor, i cili lidhet me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
ZPS-ja ka pretenduar se nëntë vizita në qendrën e paraburgimit, të zhvilluara gjatë një periudhe katërmujore, kanë rezultuar me rreth 28 orë incizime. Sipas prokurorisë, në këto incizime përmbahen biseda që lidhen me dëshmitarë dhe me procesin gjyqësor.
Kryeprokurorja Kimberly West ka deklaruar se Thaçi, sipas pretendimeve të ZPS-së, kishte formuar grupe me persona që kishin njohje me dëshmitarë të caktuar, me qëllim të ndikimit në dëshmitë e tyre.
Prokuroria pretendon se gjatë këtyre kontakteve janë diskutuar, ndër të tjera, dëshmitë e Rrustem Mustafës, Bislim Zyrapit, Sylejman Selimit dhe një dëshmitari të mbrojtur.
Për çfarë akuzohen?
Thaçi, Smakaj, Fazliu, Kilaj dhe Kuçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat ndaj tyre.
Sipas aktakuzës, Thaçi përballet me akuza për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërkaq, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.























