Maroku pretendon se finalja e Botërorit 2030 do të luhet në Casablanca
BKT
Sport

Maroku pretendon se finalja e Botërorit 2030 do të luhet në Casablanca

Uran Krasniqi / RTKLive

Finalja e Kupës së Botës 2030 do të zhvillohet në Casablanca, ka deklaruar presidenti i Federatës Mbretërore Marokene të Futbollit, Fouzi Lekjaa.

Lekjaa ka deklaruar kështu të enjten, gjatë një aktiviteti të një partie politike në qytetin Bouznika.

“Provinca e Benslimane do ta ketë nderin të presë finalen e Kupës së Botës 2030”, ka thënë ai.

Megjithatë, FIFA ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht vendin ku do të zhvillohet finalja. Maroku dhe Spanja janë në garë për të organizuar ndeshjen kryesore të turneut.

Benslimane ndodhet rreth gjashtëdhjetë kilometra nga Casablanca dhe aty po ndërtohet stadiumi Hassan II, i cili pritet të ketë kapacitet prej rreth 115 mijë ulësesh. Nëse përfundon sipas planit, ai do të jetë stadiumi më i madh në botë i ndërtuar posaçërisht për futboll.

Kupa e Botës 2030 do të jetë e veçantë pasi për herë të parë ndeshjet do të zhvillohen në tri kontinente. Tri ndeshjet e para do të luhen në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai, ndërsa pjesa kryesore e turneut do të zhvillohet në Marok, Portugali dhe Spanjë.

Në muajin e kaluar FIFA ka deklaruar se nuk janë të vërteta raportimet sipas të cilave Gianni Infantino ia kishte premtuar Marokut finalen e garës.