Mourinho: Pse nuk flasin për golat e Mbappe-s?
F.B/RTKLive
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka dalë në mbështetje të Kylian Mbappe-s pas kritikave të fundit ndaj sulmuesit francez për angazhimin e tij në fazën defensive.
Mourinho ka vlerësuar kontributin ofensiv të Mbappe-s, duke theksuar se një futbollist që shënon rregullisht rreth 40 gola në sezon nuk mund të konsiderohet problem për skuadrën.
“Kylian ka të drejtë. Një lojtar që shënon 40 gola çdo sezon nuk është problem për ekipin”, ka deklaruar Mourinho.
Tekniku portugez ka thënë se ekzistojnë njerëz që i kuptojnë situatat dhe të tjerë që preferojnë të mos flasin për aspektet pozitive.
“Ka lloje të ndryshme njerëzish, ata që kuptojnë dhe ata që nuk kuptojnë. Këta të fundit e dinë se nuk është në interesin e tyre të flasin për gjërat pozitive”, u shpreh ai.
Mourinho ka treguar edhe një episod që, sipas tij, dëshmon angazhimin e Mbappe-s në mbrojtje. Ai tha se e kishte parë francezin të kthehej për të ndihmuar Cucurellan në një moment kur Real Madridi kishte mbetur me 10 lojtarë.
“E pashë Kylianin të kthehej për të ndihmuar Cucurellan kur ne ishim me 10 lojtarë, ndërsa një trajner shumë këmbëngulës po i bërtiste. Unë e vlerësoj shumë një sjellje të tillë”, tha Mourinho.
Ai kritikoi gjithashtu faktin që, sipas tij, nuk po vlerësohet sa duhet paraqitja e skuadrës në ndeshjet e fundit.
“Pastaj të njëjtët njerëz nuk përmendin se ne mbrojtëm mirë apo se mund të kishim shënuar tetë gola. Do të ketë ndeshje të mërzitshme, ku skuadrat nuk marrin rreziqe dhe përfundon 0-0. Kundër Interit, ata mund të kishin shënuar katër gola, por ne mund të kishim shënuar tetë. Pse nuk flasin për këtë? A nuk janë të lumtur që fituam?”, deklaroi ai.
Mourinho shtoi se stafi i Real Madridit është i kënaqur me paraqitjet e ekipit dhe se skuadra është e bashkuar në përpjekjen për të arritur objektivat e sezonit.
“Stafi është shumë i lumtur. Ne vuajtëm dhe humbëm së bashku kundër Betisit. E kemi atë ndjenjë dhe përkushtimin për të punuar për Real Madridin. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i bërë njerëzit të lumtur”, përfundoi Mourinho.























