LVV mbështet ‘Marshin për Liri’: Ata që votuan Gjykatën të kërkojnë falje
E.Hoti/RTKlive
Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se mbështet “Marshin për Liri”, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, duke kërkuar nga ata që votuan themelimin e Gjykatës Speciale që të pranojnë, sipas saj, gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës.
Në komunikaten e saj, LVV ka vlerësuar se themelimin i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës ka qenë dëmi më i madh që i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.
Sipas Vetëvendosjes, Gjykata Speciale e ka padrejtësinë në themelin e saj.
“Me krijimin e saj, Kosova pranoi një rend të jashtëzakonshëm gjyqësor, me fushëveprim të drejtuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së. Parimi i barazisë para ligjit u flijua dhe njëra palë e luftës u veçua për ndjekje. Jashtë këtij gjykimi mbeti shteti serb, me drejtuesit politikë, ushtrinë, policinë, burgjet, varrezat masive dhe gjithë makinërinë që kreu gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë”.
VV ka kundërshtuar gjithashtu mënyrën se si u krijua Gjykata Speciale, duke përmendur raportin e Dick Marty dhe pretendimet për trafikim organesh.
“Zanafilla e kësaj gjykate ishte politike dhe antishqiptare. Më 15 prill 2008, deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe deputeti serb Millosh Aligrudiq u vunë në krye të nismës në Këshillin e Evropës, prej së cilës doli raporti i Dick Martyt. Pretendimi për trafikim organesh e vuri në lëvizje gjithë mekanizmin, megjithëse sot mungon në aktakuzën ndaj drejtuesve të UÇK-së. Akuza e bujshme atëbotë e kreu qëllimin e saj politik e vendosi luftën çlirimtare nën dyshim dhe hapi rrugën për krijimin e një gjykate të posaçme”, thuhet komunikatë.
Vetëvendosje ka thënë se deputetëve të Kosovës iu paraqit si alternativë frika se, nëse Kosova nuk do ta votonte themelimin e saj, Rusia do të mund ta çonte çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Qytetarëve por veçanërisht Deputetëve të Kosovës iu tha se, po të mos e miratonte Kosova themelimin e gjykatës, Rusia do ta ngrinte gjykatën në Këshillin e Sigurimit. Rusia nuk mund ta merrte e vetme një vendim të tillë. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca kishin mundësi ta pengonin. Frika prej Rusisë u përdor që Kosova ta miratonte vetë nismën e nisur nga përfaqësuesit rusë e serbë”.
LVV ka kritikuar edhe paraburgimin shumëvjeçar të të akuzuarve në Hagë, duke thënë se ai është shndërruar në një lloj “dënimi para aktgjykimit”.
“Dëmi është i thellë. Kushtetuta u ndryshua nën trysni. Sovraniteti i Kosovës shërbeu si mbulesë juridike për një gjykatë të vendosur dhe të drejtuar jashtë vendit. Paraburgimi shumëvjeçar është kthyer në dënim para aktgjykimit. Të akuzuarit mbahen larg familjeve dhe atdheut, ndërsa prezumimi i pafajësisë po zbrazet çdo ditë nga kuptimi. Të gjitha këto janë ditur dhe paralajmëruar me kohë, pra që para 12 vitesh”, thotë Vetëvendosje.
"Edhe më i rëndë është dëmi ndaj së vërtetës historike. Drejtuesit e qëndresës, pra Shtabi i UÇK-së është vendosur në bankën e të akuzuarve, ndërsa shteti që kreu masakrat, dëbimet dhe zhdukjet me dhunë vazhdon t’i mohojë krimet, t’i lartësojë kriminelët dhe t’i strehojë të kërkuarit. Drejtësia e veçantë për çlirimtarin dhe pandëshkueshmëria për pushtuesin e shtrembërojnë historinë dhe e thellojnë padrejtësinë.
Përgjegjësia penale është individuale. Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë. Gjykata e ndërtuar mbi përzgjedhjen etnike i cenon të dyja këto parime”, thuhet në komunikatë.
Në fund, partia u ka bërë thirrje atyre që votuan për themelimin e Gjykatës Speciale që të distancohen nga vendimi i tyre.
“Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, thuhet në deklaratë.
LVV ka bërë të ditur se më 12 shtator do të marshojë në Prishtinë për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën e luftës çlirimtare.























