`Marshi për Liri`, Prishtina bëhet gati për tubimin
Sh.Çoçaj/RTKlive
(E plotësuar) Pak orë para nisjes së “Marshit për Liri”, sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë është mbushur me qytetarë dhe po merr pamjen e një tubimi të madh në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës janë mbledhur në Prishtinë, në marshin që po mbahet në kryeqytet, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Pjesëmarrësit kanë kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, duke i cilësuar ata si çlirimtarë dhe njerëz që kanë kontribuar në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në sheshet e kryeqytetit janë vendosur edhe tezga ku qytetarët mund të gjejnë flamuj dhe simbole kombëtare.
Marshi, i cili këtë herë mban moton “Kosova po Pret”, pritet të nisë në orën 14:00. Tubimi po zhvillohet në prag të shpalljes së vendimit përfundimtar nga Gjykata Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
Organizatori i Platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka deklaruar se përgatitjet janë drejt përfundimit dhe se kryeqyteti është gati për të pritur pjesëmarrësit që po vijnë nga mbarë Kosova.
“Janë vetëm disa detaje të vogla, por pjesa kryesore është përfunduar. Krejt Kosova do të jetë në Prishtinë. Prishtina është gati dhe ka hapësirë për të gjithë. I ftojmë qytetarët të vijnë sa më herët, në mënyrë që të shmangen edhe bllokimet e rrugëve. Çdo gjë është gati”, tha Tasholli.
“Marshi për Liri” sot në Prishtinë, mbështetje e gjerë nga shqiptarët
Në Prishtinë sot do të mbahet “Marshi për Liri”, i organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Marshi do të nisë në orën 14:00 nga sheshi “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve.
Para marshit, nisma ka marrë mbështetje të gjerë nga qytetarë, organizata, sindikata, institucione dhe figura publike në Kosovë.
Mbështetje për marshin kanë shprehur edhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, dhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, kanë shprehur solidarizimin e tyre me nismën dhe mesazhin e saj për unitet e solidaritet.
Përkrahja për këtë organizim është shtrirë edhe te subjektet politike dhe figura të ndryshme publike, ndërsa thirrje për pjesëmarrje janë bërë në ditët e fundit nga skena politike dhe shoqërore në Kosovë.
Organizatorët synojnë që mesazhi i marshit të tejkalojë kufijtë e Kosovës, duke e paraqitur atë si një mobilizim solidariteti të shqiptarëve në hapësirat ku ata jetojnë.
Në konferencën e fundit për media, përfaqësuesja e “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, bëri të ditur se në pjesën formale të marshit do të flasin përfaqësues të platformës, të shoqatave të dala nga lufta dhe familjarë të dëshmorëve.
Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati, ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve do të flasë Lirjona Sylejman, e bija e dëshmorit Bajram Sylejmani.
Fjalime do të mbajnë gjithashtu kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini dhe Buna Mustafa, e bija e Sali Mustafës.
Përfaqësuesi tjetër i platformës, Ismail Tasholli, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen marshit së bashku me familjet e tyre.
“Le të jetë ky një marsh qytetar, familjar, paqësor dhe dinjitoz”, ka thënë Tasholli.
Aktivitetet e platformës do të vazhdojnë edhe pas marshit të 12 shtatorit. Sipas organizatorëve, më 15 shtator, nga ora 22:00, mbështetësit do të mblidhen në Hagë për “Natën e Pritjes”, ndërsa mëngjesin e 16 shtatorit do ta përcjellin së bashku seancën e gjykimit.























