Moti i paqëndrueshëm përfshin Shqipërinë, priten reshje dhe shtrëngata
RTKLive
Shqipëria pritet të përfshihet të shtunën nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, sipas njoftimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.
Moti do të karakterizohet nga alternime të kthjellimeve afatshkurtra me vranësira mesatare deri të dendura. Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme dhe me intensitet të ulët në pothuajse të gjithë territorin e vendit.
Gjatë orëve të pasdites, në zona të ndryshme priten edhe shtrëngata afatshkurtra, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe breshër, ku aktiviteti më i theksuar parashikohet kryesisht në zonat lindore të Shqipërisë.
Era do të fryjë kryesisht në drejtimin veriperëndim–juglindje, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s. Në zonat malore, lugina dhe përgjatë bregdetit, era pritet të forcohet herë pas here, duke arritur deri në 11 m/s.
Ndërkohë, valëzimi në detet Adriatik dhe Jon parashikohet të jetë i forcës 1–3 ballë.























