Marshi solidarizues përfundon i qetë, Policia falënderon qytetarët
K. K. / RTKlive
(E përditësuar 16:10) Policia e Kosovës ka njoftuar se marshi solidarizues paqësor ka përfunduar i qetë dhe pa ndonjë incident.
Policia tha se ashtu siç kishte paralajmëruar më herët, kishte ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e marshit.
Sipas Policisë, organizimi ka kaluar në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident.
“Policia e Kosovës falënderon organizatorët dhe mijëra qytetarë pjesëmarrës për qytetarinë, kulturën dhe sjelljen paqësore të treguar”, thuhet në njoftim.
Policia ka veçuar edhe respektimin e udhëzimeve të dhëna nga zyrtarët policorë gjatë marshit dhe qarkullimit në trafikun rrugor.
“Pjesëmarrja juaj, sjellja e përgjegjshme dhe respektimi i udhëzimeve policore kontribuan në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të marshit paqësor”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës.
(15:11) Marshi në Prishtinë përfundon i qetë
Alban Selimi / RTK
Pas përmbylljes së tubimit, qytetarët po kthehen në shtëpitë e tyre, me shpresën se të mërkurën do të kthehen edhe krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Për shumë prej protestuesve, kjo është shpresa dhe dëshira e tyre pas përfundimit të procesit gjyqësor.























