Flick: Mjafton një rënie e fokusit dhe gjithçka ndryshon
BKT
Sport

Flick: Mjafton një rënie e fokusit dhe gjithçka ndryshon

Uran Krasniqi/RTKLive

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, u ka bërë thirrje futbollistëve të tij të mos bien në eufori pas nisjes perfekte të sezonit, duke theksuar se në futboll gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt.

Kampionët e Spanjës kanë fituar pesë ndeshjet e para në të gjitha garat, duke shënuar njëzet e dy gola dhe duke pranuar vetëm tre, para përballjes së së dielës ndaj Levante në La Liga.

“E dimë se në futboll gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt. Më pëlqen që po e shijojmë këtë moment, por nëse ndryshojmë qasjen tonë, do të shkojmë në drejtimin e gabuar dhe këtë nuk e duam”, ka thënë Flick.

Barcelona ka shkëlqyer në sulm javët e fundit, me Raphinha dhe Lamine Yamali në krye, ndërsa ka shënuar pesë gola kundër Feyenoord në Champions League dhe ka fituar bindshëm edhe ndaj Rayo Vallecano, Valencia dhe Elche në kampionat.

“Jemi shumë të lumtur që po luajmë në këtë nivel, por duhet ta tregojmë këtë në çdo ndeshje. Kemi shumë cilësi, por ajo që është e rëndësishme për ne është të mbajmë intensitetin, fokusin dhe të jemi aktivë gjatë gjithë kohës”, ka shtuar tekniku gjerman.

Objektivi kryesor i Barcelonës këtë sezon është rikthimi te trofeu i Champions League, të cilin e fitoi për herë të fundit në vitin 2015.

“Kam folur me tifozët dhe me njerëzit në Barcelonë. Këtë vit duhet ta fitojmë Champions League. Është ëndrra jonë dhe objektivi ynë”, ka thënë Flick.

Ai ka shtuar se presidenti Joan Laporta i ka kujtuar gjithashtu rëndësinë e La Liga, duke theksuar se fitimi i titullit për të tretin sezon radhazi do të ishte një arritje e jashtëzakonshme.