Kreu i federatës daneze kritikon FIFA-n: E pamundur të marrësh përgjigje
BKT
Sport

Kreu i federatës daneze kritikon FIFA-n: E pamundur të marrësh përgjigje

Uran Krasniqi/RTKLive

Kryetari i Federatës Daneze të Futbollit, Jesper Moller, ka akuzuar FIFA-n për mungesë transparence, duke thënë se ka qenë e pamundur të marrë përgjigje për pyetjet kritike që ka ngritur ndaj drejtuesve të saj.

Moller e ka bërë të ditur këtë përmes një postimi në LinkedIn, pasi ka marrë pjesë të mërkurën në mbledhjen e Komitetit Ligjor të FIFA-s, ku ka kërkuar sqarime për planin e dështuar të investimeve “FIFA Forward Enterprise”.

“E kam shfrytëzuar mbledhjen për të bërë disa pyetje kritike për këtë proces, të cilin vazhdoj ta konsideroj thellësisht të papranueshëm. Më habit fakti që 'FIFA Forward Enterprise' nuk është diskutuar në Komitetin Ligjor, pikërisht organi që duhet të trajtojë çështjet ligjore të FIFA-s”, ka shkruar ai.

Sipas tij, drejtuesit e FIFA-s nuk kanë dhënë përgjigje, me arsyetimin se tema do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s në tetor.

“Ishte një mundësi e mirë që drejtuesit e FIFA-s të shpjegoheshin, por ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presion dhe jam i bindur se do ta zbardhim plotësisht këtë çështje krejtësisht të papranueshme”, ka shtuar Moller, i cili me profesion është avokat.

Në fund të korrikut, FIFA kishte njoftuar krijimin e një kompanie tregtare për të shitur pjesë të turneve të saj te investitorë të jashtëm, me synimin për të rritur të ardhurat që do të shpërndaheshin mes 211 federatave anëtare.

Megjithatë, plani është përballur menjëherë me kritika të ashpra nga shumë federata dhe është tërhequr brenda një kohe të shkurtër.

Pas kësaj, disa federata kombëtare kanë deklaruar se kanë humbur besimin te presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.

Edhe Federata Daneze kërkon tashmë ndryshim në krye të organizatës.

“Mbledhja e së mërkurës e ka konfirmuar se FIFA nuk mund ta rikthejë besueshmërinë e saj me udhëheqjen aktuale. Ka ardhur koha për një president të ri dhe do të vazhdoj të punoj me kolegët evropianë për të gjetur një kandidat që mund të sigurojë shumicën. Nuk ka më besim te Infantino dhe drejtuesit e FIFA-s”, ka theksuar Moller.