Protesta e 105-të në Tiranë
atsh
Këtë mbrëmje në Tiranë nisi protesta e 105-të kundër investimit në Zvërnec, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të diasporës.
Protestuesit u nisën nga Sheshi “Skënderbej” në drejtim të Kryeministrisë, duke zhvilluar një marshim në qendër të kryeqytetit.
Në tubim morën pjesë edhe përfaqësues të diasporës, pjesëmarrje që organizatorët e konsideruan si një mbështetje shtesë për protestën.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj, gjatë fjalës së saj në protestën e 105-të, përshëndeti pjesëmarrjen e diasporës në tubimin e zhvilluar këtë mbrëmje në Tiranë.
Vatnikaj tha se pjesëtarë të diasporës iu bashkuan qytetarëve që jetojnë në Shqipëri, me synimin, sipas saj, për t’i kërkuar Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen.
“Diaspora është me ne. Ky shesh i ka bërë të gjithë shqiptarët, ata që jetojnë këtu dhe ata që janë detyruar të largohen nga klasa politike 36-vjeçare. Më në fund shqiptarët ia dalin të bashkuar dhe më në fund këtu vendosim ne. Diaspora ka ardhur në mbështetje tonën për t’i kërkuar Edi Ramës dorëheqje”, tha Vatnikaj.
Ajo e cilësoi pjesëmarrjen e diasporës si një moment bashkimi mes shqiptarëve që jetojnë në vend dhe atyre që janë larguar jashtë Shqipërisë.
Protesta nisi më 31 maj si reagim ndaj projektit turistik të planifikuar në Zvërnec, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit artikuluan kërkesa më të gjera politike dhe institucionale.
Kërkesa kryesore e protestuesve vijoi të ishte dorëheqja e qeverisë dhe e kryeministrit Rama, ndërsa në tubime u ngritën edhe shqetësime për korrupsionin, mundësitë e punësimit dhe largimin e të rinjve nga vendi.























