PDK tërheq përkohësisht kandidaturën e Çitakut, pret vendimin e Kushtetueses
Edona Podvorica/RTK
(E perditesuar) Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së Vlora Çitakut për pozitën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit.
Në një shkresë drejtuar kryetares së Kuvendit, të nënshkruar nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, thuhet se vendimi është marrë për shkak të shkeljeve të vazhdueshme dhe të përsëritura të detyrimeve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
PDK i referohet nenit 66 të Kushtetutës dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 124/25, duke argumentuar se procesi i konstituimit duhej të përfundonte brenda afatit kushtetues.
Sipas Tahirit, PDK-ja kishte marrë pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, pavarësisht skadimit të afatit kushtetues, me qëllim që të kontribuonte në përfundimin e procesit të konstituimit.
“Megjithatë, kjo gatishmëri nuk u shfrytëzua”, thuhet në shkresë, ku PDK-ja thotë se janë krijuar pengesa të reja dhe janë përdorur çështje procedurale e politike për shtyrjen e procesit.
PDK ka bërë të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar “vlerësimin dhe sqarimin kushtetues të situatës së krijuar”.
Deri në vendimin e Gjykatës, PDK ka vendosur të mos marrë pjesë në vazhdimin e procesit dhe të pezullojë kandidaturën e Çitakut.
Megjithatë, PDK thekson se kjo nuk nënkupton heqjen dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon asaj.
“Tërheqja e kandidaturës së tanishme nuk nënkupton se Partia Demokratike e Kosovës heq dorë nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon, dhe as se refuzon të propozojë kandidatin e saj për këtë pozitë”, thuhet në shkresë.
PDK ka paralajmëruar se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të rikthehet në Kuvend dhe do të veprojë në përputhje me vendimin e saj.


(09:54) PDK: Nuk marrim pjesë në seancat e Kuvendit deri në vendimin e Kushtetueses
Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se situata rreth konstituimit të Kuvendit kërkon qartësi përfundimtare kushtetuese.
PDK ka thënë se Kuvendi i Kosovës është dashur të konstituohej brenda afatit 30-ditor, më së largu më 7 gusht, sipas Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas PDK-së, Lëvizja Vetëvendosje e ka shkelur këtë afat dhe më pas ka vendosur vetë afatin e 6 shtatorit, të cilin, sipas saj, po ashtu nuk e ka respektuar.
PDK ka thënë se, për hir të 16 shtatorit dhe vendimit që pritet në Hagë, ka pranuar të marrë pjesë në seancat e Kuvendit edhe përtej këtyre afateve, me qëllim që procesi i konstituimit të përfundonte.
Partia ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, me ftesën e LVV-së dhe me, siç ka thënë, vullnet të plotë për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit. Megjithatë, sipas PDK-së, në të dyja rastet procesi është penguar nga LVV-ja përmes arsyetimeve të reja lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të opozitës.
PDK ka thënë se e ka mbajtur fjalën dhe e ka votuar kandidatin e LVV-së për nënkryetar të Kuvendit, ndërsa ka akuzuar LVV-në se e ka thyer premtimin dhe ka refuzuar ta votojë kandidaten e PDK-së për nënkryetare.
“Ky veprim dëshmoi edhe një herë se, për LVV-në, fjala e dhënë vlen vetëm deri në momentin kur u shërben interesave të saj politike”, thuhet në reagimin e PDK-së.
PDK ka vlerësuar se LVV-ja, pasi sipas saj e ka bllokuar procesin e konstituimit, tani ka deklaruar se është e gatshme t’i votojë nënkryetarët, por duke e lidhur këtë me mënyrën e votimit për presidentin e Republikës.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike”, thuhet në reagim.
PDK ka thënë se nuk do të vazhdojë të marrë pjesë nga një seancë në tjetrën, në një proces ku, sipas saj, vazhdimisht ndryshojnë kushtet dhe krijohen pengesa të reja.
Partia ka bërë të ditur se ekspertët e saj janë duke punuar në përgatitjen e rastit që do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për procesin në tërësi.
“Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit”, thuhet në reagim.
PDK e ka përmbyllur reagimin me mesazhin: “Mjaft me afate të shkelura, kushte të reja dhe pazare politike. Tani fjalën duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese.”























