PISA 2025, Rama: Shqipëria sot e para në matematikë në Ballkanin Perëndimor
atsh
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se rezultatet e PISA 2025 tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të nxënësve shqiptarë, duke e lidhur këtë me ndryshimet e bëra në sistemin arsimor, administrimin e shkollave dhe bashkëpunimin me prindërit.
Sipas Ramës, përmirësimi i rezultateve nuk lidhet vetëm me investimet në infrastrukturën shkollore apo me cilësinë e teksteve, por edhe me mënyrën e administrimit dhe drejtimit të shkollave.
“Rezultatet e tij janë frut i një pune të gjatë, i një transformimi tërësor, i një përpjekjeje për të rritur jo thjesht cilësinë e infrastrukturës, as thjesht cilësinë e teksteve, por cilësinë e administrimit të shkollave”, u shpreh Rama.
Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e përgatitjes së drejtuesve të shkollave, duke përmendur Shkollën e Drejtorëve dhe rritjen e numrit të drejtuesve që trajnohen në mënyrë të specializuar.
Rama e lidhi përmirësimin e rezultateve edhe me bashkëpunimin mes shkollës dhe prindërve, ndërsa vlerësoi kontributin e vetë nxënësve.
“Dhe patjetër edhe si rezultat i gjithë intensitetit të ndërveprimit mes shkollës, prindërve pa diskutim, nuk u heq asnjë presje atyre që nënvizojnë meritën e nxënësve”, tha ai.
Kryeministri argumentoi se nxënësit shqiptarë kanë qenë të njëjtët edhe në vitet e mëparshme, ndërsa ndryshimi, sipas tij, ka ardhur nga përmirësimi i faktorëve të tjerë që ndikojnë në cilësinë e arsimit.
“Ndërkohë nxënësit ishin po aty, ndërkohë që pjesët e tjera nuk ishin aty ashtu siç duhet dhe prandaj rezultatet e PISA-s më parë nuk kanë qenë të tilla”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar pozicionimit të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, kryeministri tha se vendi e ka nisur përmirësimin nga fundi i klasifikimit dhe tashmë është ngjitur në krye, veçanërisht në matematikë.
“Shqipëria e filloi këtë ngjitje drejt majës së klasifikimit në Ballkanin Perëndimor nga fundi, ishin të fundit dhe të fundit me distancë nga të tjerët dhe sot jemi të parët në matematikë”, tha Rama.
Nxënësit shqiptarë kanë shënuar përmirësim në të tre fushat e vlerësuara nga testi ndërkombëtar PISA 2025, krahasuar me rezultatet e vitit 2022. Të dhënat u bënë të ditura nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, nga ministeriali i vendeve të OECD-së për publikimin e rezultateve të PISA 2025, ku Shqipëria ka regjistruar rritje me 65 pikë në matematikë, 59 pikë në shkencë dhe 50 pikë në lexim.























