LIVE / Nis seanca për zgjedhjen e Qeverisë, në sallë 70 deputetë
RTKlive
(E përditësuar) Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Në sallë janë të pranishëm 70 deputetë.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi se janë përmbushur kushtet për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme.
Vonohet nisja e seancës për zgjedhjen e Qeverisë së re
(E përditësuar) Seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë së re, e thirrur për në orën 14:00, ende nuk ka nisur.
Deputetët e Listës Serbe janë të pranishëm në sallë, ndërsa PDK-ja dhe Aleanca kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në seancë.
PDK-ja ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ndërsa deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, e ka cilësuar procesin jokushtetues.
Në rendin e ditës është vetëm një pikë – zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Thirret seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re
Seanca është caktuar për në orën 14:00, ndërsa në rendin e ditës është vetëm një pikë: zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
(13:08) Sot pritet të mbahet seanca për formimin e Qeverisë
Pas përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pritet që gjatë ditës të vijojë edhe procesi për formimin e Qeverisë së re. Kryesuesja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë për RTK-në se beson që seanca për formimin e Qeverisë do të mbahet sot.
“Besoj se do të ketë sot seancë për formimin e Qeverisë”, ka thënë Nagavci për RTK-në.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje i ka propozuar ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që Albin Kurti të mandatohet për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në dokumentin e datës 13 shtator 2026, të nënshkruar nga Nagavci, thuhet se propozimi bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Vetëvendosje argumenton se, bazuar në vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e rezultateve, ajo ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend.
“Në dokument, VV-ja i propozon presidentes z. Albin Kurti – mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.”
Kuvendi i Kosovës u konstituua sot pas zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e LDK-së, komunitetit serb dhe komuniteteve joshumicë joserbe.
Pas përfundimit të votimeve, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, konstatoi se legjislatura e XI e Kuvendit të Kosovës konsiderohet e konstituuar.
“Me këtë rast konstatoj se Kuvendi i Republikës së Kosovës konsiderohet i konstituuar. Shihemi në seancën e radhës”, ka deklaruar Haxhiu.























