Carrick shpërthen ndaj VAR-it: Nuk e kuptoj si nuk morën vendimin e duhur
BKT
Sport

Carrick shpërthen ndaj VAR-it: Nuk e kuptoj si nuk morën vendimin e duhur

F.B/RTKLive

Michael Carrick nuk e ka fshehur zhgënjimin pas humbjes së Manchester Unitedit në derbin ndaj Manchester Cityt, me trajnerin anglez që ka kritikuar ashpër vendimin e VAR-it për golin e Erling Haalandit.

Manchester City triumfoi në “Old Trafford”, ndërsa goli i Haalandit rezultoi vendimtar. Megjithatë, mënyra se si u akordua goli ka hapur debat të madh, pasi në aksion ishte përfshirë edhe Enzo Fernandez, i cili dukej se ishte në pozicion jashtë loje.

Pamjet e përsëritura treguan se Haaland ishte në pozicion të rregullt në momentin kur u luajt topi, por Fernández tentoi ta devijonte atë me kokë dhe pozicioni i tij ngriti pikëpyetje.

Premier League Match Centre sqaroi në rrjetin social X se Fernández nuk e kishte prekur topin në mënyrë të konsiderueshme dhe për këtë arsye goli u konsiderua i rregullt.

Ky shpjegim, megjithatë, nuk e bindi aspak Carrickun.

“Unë thjesht nuk e kuptoj, vërtet nuk e kuptoj. Nuk mund ta kuptoj se si po përpiqemi t’i ndihmojmë gjyqtarët, duke vendosur kaq shumë njerëz, trupa dhe ekrane pas tyre, dhe ata nuk mund të marrin vendimin e duhur”, ka deklaruar Carrick.

“Është shqetësuese nëse kështu po shihet loja nga ata që janë përgjegjës për gjykimin e saj. Nuk mund të jem shumë kritik ndaj lojtarëve dhe nuk do të jem, sepse mendoj se kemi bërë shumë gjëra mirë. Sot thjesht nuk gjetëm atë që na nevojitej”, shtoi ai.

Carrick, i cili ka grumbulluar vetëm katër pikë në katër ndeshjet e para të kampionatit, u shpreh i zhgënjyer edhe për tifozët e Unitedit.

“Po mendoj për tifozët sot. Nuk kemi aq pikë sa do të dëshironim në këtë fazë dhe nuk mund t’i ikim kësaj. Duhet të vazhdojmë përpara dhe të rikthehemi te fitoret”, u shpreh trajneri i Unitedit.

Edhe mbrojtësi Lisandro Martínez ishte i bindur se goli duhej të anulohej.

“Unë mendoj se ishte jashtë loje. Ajo që nuk mund ta kuptoj janë rregullat. Ai ishte aty. Unë shkova drejt tij sepse ishte aty përpara meje; për këtë arsye Haaland ishte i lirë në pjesën tjetër të aksionit”, tha argjentinasi.

“Dua të jem i qetë tani dhe ta kontrolloj veten. Është shumë e vështirë, sepse humb, humb një derbi, humb tri pikë në shtëpi... Është e papranueshme”, shtoi Martínez.

“Sepse kjo është liga më e mirë në botë, me ekipet dhe lojtarët më të mirë në botë, dhe tani duhet të shkojmë në shtëpi me këtë padrejtësi”, përfundoi ai.