Haaland lavdëron karakterin e Cityt pas fitores në derbi
BKT
Sport

Haaland lavdëron karakterin e Cityt pas fitores në derbi

F.B/RTKLive

Erling Haaland ka vlerësuar karakterin dhe qëndrueshmërinë e Manchester Cityt pas fitores së vështirë 1-0 ndaj Manchester Unitedit në “Old Trafford”.

“Citizens” mbetën me 10 lojtarë që në minutën e 23-të, pas përjashtimit të Phil Fodenit me karton të kuq për sjellje të dhunshme. Pavarësisht disavantazhit numerik, skuadra e Cityt arriti ta menaxhojë ndeshjen dhe në pjesën e dytë gjeti golin e fitores.

Haaland shënoi në minutën e 60-të, duke realizuar golin e tij të nëntë në vetëm tetë paraqitje në Premier League kundër Manchester Unitedit.

Norvegjezi e cilësoi fitoren me 10 lojtarë si një dëshmi të karakterit të skuadrës.

“Nuk ka ndodhur shpesh në jetën time që të mbetem me 10 lojtarë, kështu që është një përvojë e re të fitosh me 10 lojtarë. Sinqerisht, është e jashtëzakonshme”, ka thënë Haaland për faqen zyrtare të Manchester Cityt.

“Duhej të tërhiqeshim, gjë që nuk është ideale, sepse ne duam ta mbajmë topin dhe të përpiqemi të shënojmë gola. Por në raste të tilla duhet të mbrohesh më thellë dhe të shfrytëzosh mundësitë kur të paraqiten. Mendoj se e bëmë këtë shumë mirë”, shtoi ai.

Unitedi goditi dy herë shtyllën gjatë ndeshjes, por nuk arriti ta konkretizojë epërsinë e krijuar në disa momente.

Haaland theksoi se ndryshimi i planit taktik ishte vendimtar për suksesin e Cityt.

“Kjo tregon personalitet dhe karakter. Ta mbash topin larg portës tënde, në ‘Old Trafford’, me 10 lojtarë – kjo është personalitet. Duhej ta ndryshonim pak planin. Enzo na dha një plan dhe luajtëm pak më ndryshe nga mënyra jonë e zakonshme. Kundërsulmuam më shumë”, përfundoi sulmuesi norvegjez.