Yamal sfidon Messin e CR7: Askush nuk ka fituar kaq shumë në këtë moshë
BKT
Sport

Yamal sfidon Messin e CR7: Askush nuk ka fituar kaq shumë në këtë moshë

F.B/RTKLive

Lamine Yamal beson fuqishëm se është në rrugën e duhur për të fituar “Topin e Artë” për vitin 2026, ndërsa ka bërë një deklaratë të fortë kur është krahasuar me dy legjendat e futbollit, Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon.

Sulmuesi i Barcelonës, tashmë 19-vjeçar, vjen pas një periudhe të jashtëzakonshme me klubin dhe kombëtaren. Ai fitoi titullin e La Ligës me Barcelonën në fund të sezonit 2025/26, përpara se të shpallej kampion bote me Spanjën në korrik.

Yamal pritet të jetë një nga favoritët kryesorë për “Topin e Artë”, me Kylian Mbappen që shihet si rivali i tij më i madh për çmimin prestigjioz.

Në një deklaratë që ka tërhequr vëmendje të madhe, Yamal ka vënë në pah sukseset e tij në një moshë shumë të re, duke e krahasuar veten me emra të mëdhenj të historisë së futbollit.

“Ka lojtarë të mëdhenj si Messi, Cristiano dhe Maradona. Por mendoj se nuk ka ndodhur kurrë më parë që dikush të ketë fituar kaq shumë në një moshë kaq të re”, ka deklaruar Yamal.

Ai ka përmendur edhe legjendën braziliane Pele, por ka insistuar se në futbollin e kohëve moderne nuk sheh ndonjë lojtar që ka arritur të njëjtin nivel suksesi kaq herët në karrierë.

“Ka qenë Pele, por në kohët e fundit... kurrë, mendoj”, është shprehur ylli i Barcelonës.

Yamal gjithashtu ka hedhur poshtë mundësinë që sukseset e hershme ta bëjnë të ulë ritmin në karrierën e tij.

“Njerëzit kanë këtë mendësi se, për shkak se kam fituar trofe, ndoshta në një moment do të relaksohem me karrierën time. Kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë ai.

“E di se kam një mijë gjëra për të bërë për të shkruar historinë e futbollit”, përfundoi Yamal.

Nëse arrin ta fitojë “Topin e Artë” këtë vit, Yamal do të vendoste një rekord të ri si fituesi më i ri i çmimit prestigjioz.