Owen: Është çmenduri të kërkohet shkarkimi i Carrick
Uran Krasniqi/RTKLive
Ish-futbollisti i njohur anglez, Michael Owen, ka dalë në mbrojtje të trajnerit të Manchester United, Michael Carrick, duke i cilësuar si të çmendura kërkesat e tifozëve për shkarkimin e tij pas humbjes në derbin ndaj Manchester City.
United është mposhtur 1:0 nga City të dielën. Golin e fitores për City e ka shënuar Erling Haaland.
Pas katër ndeshjeve të para në Premier League, Manchester United ka vetëm katër pikë, duke barazuar nisjen e tij më të dobët në kampionat. Kjo ka rritur presionin mbi Carrick, të cilit iu besua drejtimi i skuadrës pasi në shtatëmbëdhjetë ndeshje si trajner i përkohshëm kishte regjistruar dymbëdhjetë fitore.
Megjithatë, sipas Owen, është shumë herët të diskutohet shkarkimi i ish-mesfushorit të United.
“Është çmenduri të thuhet se ai duhet të shkarkohet pas katër pikësh në katër ndeshje. Është shumë, shumë herët të flitet për këtë”, ka thënë Owen.
Sipas tij, United nuk ishte bindës në sulm ndaj City, por kjo nuk duhet të shihet si problemi kryesor i skuadrës.
“Po, dukeshin të zbehtë në sulm, por vetëm një javë më parë dukeshin të jashtëzakonshëm ndaj Ipswich. Mendoj se sulmi është problemi më i vogël i tyre”, ka deklaruar ai.
Owen ka komentuar edhe kartonin e kuq të Foden në ndeshjen me City, duke thënë se vendimi ishte i drejtë, edhe pse situata i la shije të hidhur.
Ai ka kritikuar ndërkohë vendimin për golin e Haaland, i cili fillimisht u konsiderua në pozitë jashtë loje, por u akordua pas ndërhyrjes së VAR-it. PGMOL, organi përgjegjës për gjyqtarët në futbollin anglez, më pas pranoi se ishte bërë gabim.
“Është shqetësuese. Kishin rreth tre minuta e gjysmë për ta shqyrtuar dhe nuk bëhej fjalë për një situatë me shumë elemente për t'u analizuar. Ishte një vendim relativisht i thjeshtë”, ka thënë Owen.
Ish-sulmuesi anglez ka folur edhe për problemet në mbrojtjen e United, që ka pranuar shtatë gola në katër ndeshje.
Sipas tij, klubi duhet të mendojë për përforcimin e repartit defensiv, pasi mbrojtja ka mbetur pothuajse e njëjtë për disa vite.
“Është një mbrojtje shumë e ngjashme me atë të viteve të kaluara, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës ka ndryshuar. Ndoshta kjo është zona tjetër ku Manchester Unitedi do të kërkojë përforcime”, ka thënë Owen.























