Të mërkurën verdikti historik|Video
Arbresha Berisha /RTK
Në prag të shpalljes së aktgjykimit final ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, në Kosovë dhe në diasporë janë paralajmëruar tubime dhe aktivitete mbështetëse për krerët e UÇK-së. Thirrjet për vendim të drejtë po përsëriten me zë të lartë gjithandej vendit, teksa përcillen edhe porosi që gjykata mos të ndikohet nga Serbia e Rusia, por të vendosë për lirimin e katërshes së UÇK-së.
"Nuk ka as prova as dëshmi që gjykata të nxjerr vendim dënues. Por i frikësohem faktit që gjykata mund të ndikohet nga faktorë politikë, gjë që është dëshmuar që 6 vite që është duke u ndikuar politikisht. Në qoftëse kjo gjykatë ndikohet nga politika, i frikësohem faktit se edhe bashkëluftëtarët tanë mund ti përcjell fati i dy bashkëlëftëtarëve që veçse janë të dënuar në Gjykatën Speciale", tha Gazmend Syla, nënkryetar i OVL-UÇK-së.
Shqiptarë nga të gjitha trojet etnike, edhe përtej nëpër shtete ku jetojnë e veprojnë, po mobilizohen për të qenë sa më pranë këtij procesi historik. Shumë nga ta tashmë kanë marrë rrugën drejt Hagës, ku më 16 shtator është paralajmëruar tubimi masiv në mbështetje të çlirimtarëve. Një thirrje, në prag të vendimit, i adresohet edhe NATO-s, për t`u rreshtuar krah drejtësisë për Kosovën, ashtu siç bëri në aleancën historike të vitit '99. Po ashtu, në një konferencë të organizuar nga platforma "Liria ka Emër", u ripotencua se me këtë proces nuk po mbrohen vetëm vlerat dhe pastërtia e liderëve të UÇK-së, por e vërteta dhe dinjiteti i të gjithë popullit shqiptar.
"Unë jam optimist se Kosova del faqebardhë për shkaqe politike edhe juridike. Kosova është lodh sepse prej pas luftës ne kemi pasur kushtëzime pas kushtëzime e procese penale", theksoi Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, profesor.
"NATO dhe UÇK kanë qenë aleatë në 99-tën por do të jenë edhe me 16 shtator. Nuk ka ndryshe. Pikërisht 99-ta është një suvenir, suksesi më i madh i unitetit atlantik", thotë Ylber Hysa, ish-ambasador.
"Pas 16-tit nuk guxojmë të jemi viktimë. Duhet ta mendojmë dhe rimendojmë qasjen tonë se si do të duhet të përballemi me kundërshtarët e shtetit të Kosovës. Haxhim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk janë në hagë sepse kanë bërë krime por sepse e kanë çliruar Kosovën", pohoi Enver Hoxhaj, profesor.
Derisa ora e vendimit po afrohet, 16 shtatori pritet të jetë një ditë me vëmendje të madhe në Kosovë dhe jashtë saj.























