Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e Erion Veliajt, mbetet në burg
B.H./RTKlive
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në Shqipëri ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në çështjen që lidhet me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn.
Kolegji Penal e shqyrtoi më 15 shtator kërkesën e Veliajt për shfuqizimin e disa vendimeve të gjykatave të posaçme, përfshirë vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 13 mars 2025 dhe një vendim të mëparshëm të Gjykatës së Lartë.
“Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji Penal vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 13, datë 13 mars 2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Vendimi u mor në Dhomë Këshillimi, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Në këtë çështje, kërkues ishte Erion Veliaj, ndërsa palë e interesuar ishte Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Veliaj ndodhet në burg prej shkurtit 2025, në kuadër të hetimeve të SPAK.























