Ajax pritet të transferojë ish-mesfushorin e Tottenham
BKT
Sport

Ajax pritet të transferojë ish-mesfushorin e Tottenham

Uran Krasniqi/RTKLive

Yves Bissouma pritet të bëhet futbollist i Ajaxit, pasi klubi holandez ka arritur marrëveshje me ish-mesfushorin e Tottenham Hotspur.

Tridhjetë vjeçari është aktualisht pa klub, pasi u largua nga Tottenhami pas përfundimit të kontratës në fund të sezonit 2025/26.

Sipas gazetës holandeze “De Telegraaf”, mesfushori nga Mali pritet të nënshkruajë kontratë njëvjeçare me Ajax, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër. Ai pritet ta kryejë të martën testet mjekësore.

Ajax kishte kërkuar mundësi për ta përforcuar mesfushën me një futbollist të lirë. Drejtori teknik Jordi Cruyff synon ta rrisë edhe më shumë konkurrencën në këtë repart.

Klubi holandez ka pasur një afat kalimtar shumë aktiv gjatë verës, duke realizuar njëmbëdhjetë transferime, mes tyre edhe mesfushorët Sofyan Amrabat dhe Julian Brandt.

Bissouma iu bashkua Tottenhamit në vitin 2022, pasi klubi londinez pagoi rreth tridhjetë milionë euro për transferimin e tij nga Brighton.

Në tri vite me Tottenhamin, ai zhvilloi 111 ndeshje dhe shënoi dy gola. Me klubin anglez, Bissouma fitoi edhe Europa League në vitin 2025.

Megjithatë, periudha e tij në Londër u shoqërua edhe me disa incidente disiplinore. Ai u pezullua nga Tottenham në gusht të vitit 2024 po edhe në dhjetor të vitit 2025.