Gullit: Man Unitedi nuk mund të konkurrojë këtë sezon, do t’i duhet kohë
BKT
Sport

Gullit: Man Unitedi nuk mund të konkurrojë këtë sezon, do t’i duhet kohë

F.B/RTKLive

Legjenda holandeze e futbollit dhe fituesi i “Topit të Artë”, Ruud Gullit, ka kritikuar situatën te Manchester Unitedi, duke vlerësuar se “Djajtë e Kuq” nuk janë në gjendje të luftojnë për trofe këtë sezon.

Unitedi nuk e ka fituar titullin e Premierligës që nga sezoni 2012/13, ndërsa trofeun e fundit e siguroi në vitin 2024, kur triumfoi në finalen e FA Cup ndaj Manchester Cityt.

Skuadra e drejtuar nga Michael Carrick e ka nisur me vështirësi këtë sezon, me vetëm një fitore në katër ndeshjet e para dhe aktualisht renditet në vendin e 13-të në tabelën e Premierligës.

Gullit beson se Manchester Unitedi ka ende mungesë cilësie dhe se rikthimi në nivelet e dikurshme do të kërkojë kohë.

“Unitedi? Ata nuk mund të konkurrojnë këtë vit. Ende jo. Mendoj se u mungon pak cilësia, siç mund ta shohim. Ata nuk mund ta kontrollojnë një ndeshje. Marrin epërsinë, por më pas gjithçka mund të shkojë në të dyja drejtimet”, deklaroi Gullit për “ComeOn”.

“Ky nuk është diçka që do të jetë e lehtë për t’u rregulluar, sepse kur të mungon diçka, varet shumë nga cilësia individuale dhe jo vetëm nga cilësia e ekipit. Nëse duan të arrijnë sërish objektivat, do t’u duhet pak kohë.”

Gullit theksoi se durimi duhet të jetë një nga elementet kryesore për klubin në këtë periudhë.

“Gjëja më e rëndësishme që Unitedi mund të tregojë këtë sezon është durimi. Është një fakt i thjeshtë. Ata nuk i kanë më lojtarët më të mirë në Premierligë. Ata luajnë për ekipet e tjera. Unitedi duhet të përballet me faktin se lojtarët që i duhen vërtet luajnë për klubet e tjera. E kanë humbur momentin rreth pesë apo gjashtë vjet më parë.”

Holandezi përmendi edhe largimin e Sir Alex Fergusonit dhe periudhën e gjatë të vështirë që pasoi.

“Lojtarët më të mirë shkuan te Liverpooli, Chelsea, Arsenali dhe Manchester City. Unitedi e ka humbur momentin dhe do t’u duhet kohë për t’u riorganizuar dhe për t’u rikthyer në një nivel ku mund të kenë mundësi të fitojnë sërish titullin e Premierligës. Këtë sezon ka shumë pretendentë më të fortë dhe me më shumë cilësi.”

“Sir Alex Ferguson vetë tha se do të duheshin 10 vjet dhe ndoshta kjo është ajo që po ndodh. Ata janë në një gropë. Kanë qenë në këtë situatë që nga largimi i Fergusonit dhe mendoj se ai e dinte se çfarë po vinte. Prandaj u tërhoq në atë moment. Ai e pa se gjërat po ndryshonin, pasi gjithnjë e më shumë skuadra kishin para për të shpenzuar dhe po afronin trajnerët më të mirë. Lojtarët më të mirë duan të luajnë për këta trajnerë dhe Unitedi nuk është më në atë pozitë. Do t’u duhet kohë për t’u rikthyer”, përfundoi Gullit.