Rivera kritikon rikthimin e Mancinit te Italia: Fyerje për tifozët dhe lojtarët
BKT
Sport

Rivera kritikon rikthimin e Mancinit te Italia: Fyerje për tifozët dhe lojtarët

F.B/RTKLive

Legjenda e futbollit italian, Gianni Rivera, ka reaguar ashpër ndaj vendimit për rikthimin e Roberto Mancinit në stolin e Kombëtares së Italisë.

Ish-fituesi i “Topit të Artë”, në një intervistë për “Fatto Quotidiano”, nuk e ka fshehur kundërshtimin e tij ndaj zgjedhjes së Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), duke e cilësuar rikthimin e Mancinit si një vendim të papranueshëm.

“Rikthimi i Mancinit në stol është një fyerje për tifozët dhe futbollistët e Italisë”, deklaroi Rivera.

Ish-ylli i “axurrëve” më pas e zgjeroi diskutimin përtej Kombëtares, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është zhvilluar futbolli në nivel ndërkombëtar.

Rivera foli edhe për drejtimin e FIFA-s ndër vite, duke përmendur ish-presidentin Sepp Blatter dhe presidentin aktual Gianni Infantino.

“Bota e futbollit, nga Blatter te Infantino, ka pasur gjithmonë paratë si padron. Përderisa komandon paraja, futbolli nuk do të ndryshojë. Lojtarët sot janë ndërmarrje dhe bëjnë skuadër me të tjerët vetëm në fushë”, u shpreh ai.

Në fund, Rivera foli edhe për mundësinë e një përfshirjeje të tij në strukturat drejtuese të futbollit italian. Legjenda e Milanit tha se gjatë viteve ka pasur oferta, por ai ka zgjedhur të mos bëjë kompromis me bindjet e tij.

“Nuk kam bërë kurrë publicitet për askënd, pavarësisht se propozimet gjatë viteve kanë qenë të shumta. Mua nuk më duan, sepse si dje, ashtu edhe sot, idetë e mia e shqetësojnë prej kohësh pushtetin”, përfundoi Rivera.