MINT: Po monitorojmë çmimet e derivateve, nuk është vërejtur abuzim
G.K/RTKlive
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se po monitoron në vazhdimësi çmimet e derivateve të naftës në territorin e Kosovës.
Sipas MINTI-t, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është duke monitoruar vazhdimisht çmimet, ndërsa bazuar në çmimet e importit të deklaruara nga Dogana e Kosovës, deri më tani nuk është vërejtur ndonjë abuzim me çmimin e shitjes së derivateve.
“Bazuar në çmimet e importit të deklaruara nga Dogana e Kosovës, deri më tani, nuk është vërejtur ndonjë abuzim me çmimin e shitjes së derivateve”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.
Ministria ka bërë të ditur se, në rast se vëren dhe verifikon abuzim me çmime nga kompanitë e shitjes së derivateve, do të shqyrtohet mundësia e rikthimit të vendimit për përcaktimin e marzhës tregtare maksimale të lejuar për shitje me shumicë.
Sipas raporteve zyrtare nga Dogana, çmimi i importit të derivateve të naftës për 24 orët e fundit është 1.83 euro, ndërsa në pompat e derivateve çmimi i shitjes, sipas raporteve të IQMT-së, ka lëvizur nga 1.92 deri në 1.94 euro.
Ndërkaq, çmimi i importit të benzinës për 24 orët e fundit është 1.54 euro, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë ka lëvizur nga 1.61 deri në 1.67 euro.
“MINTI i siguron konsumatorët se ka mbikëqyrje të plotë të tregut, por rritja e çmimit të derivateve nuk është si rrjedhojë e lëvizjeve të çmimit brenda vendit, por si pasojë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rrjedhimisht rritjes së çmimit në furnizim”, thuhet në njoftim.























