Europa League, Besiktas deklason Marseille-n, të gjitha rezultatet
F.B/RTKLive
Besiktas e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën në Ligën e Evropës, duke mposhtur thellë 4-1 Marseille-n në “Tupraş Stadyumu”.
Për skuadrën franceze kjo ishte humbja e katërt radhazi në të gjitha garat, duke e bërë edhe më të vështirë fillimin e epokës së trajnerit Bruno Genesio.
Besiktas e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe kaloi në epërsi në minutën e parë. Ilhan Fakılı bashkëpunoi bukur me Junior Olaitan në hyrje të zonës, para se të realizonte me qetësi për 1-0.
Marseille reagoi shpejt dhe vetëm 14 minuta më vonë arriti të barazojë. Pas një topi të fituar në mesfushë, Himad Abdelli shërbeu në mënyrë të saktë Keyliane Abdallah, i cili doli përballë portierit dhe realizoi për 1-1.
Në fundin e pjesës së parë, Orkun Kökçü pati një mundësi të artë për Besiktasin pas asistimit të Dusan Vlahovicit, por Jeffrey de Lange doli me kohë nga porta dhe shpëtoi Marseille-n.
Megjithatë, portieri holandez nuk mundi ta mbante gjatë skuadrën e tij në lojë. Vetëm 13 minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Besiktas riktheu epërsinë. Vaclav Cerny goditi bukur nga këndi dhe dërgoi topin në cepin e largët për 2-1.
Vetëm tri minuta më pas erdhi edhe goditja e radhës për Marseille-n. Amir Murillo, ish-futbollisti i skuadrës franceze, u ngrit më lart se mbrojtja kundërshtare dhe realizoi me kokë pas një goditjeje nga këndi, duke çuar rezultatin në 3-1.
Marseille nuk arriti të reagonte më dhe Beşiktaş vazhdoi të dominonte. Ilhan Fakılı ishte pranë golit të dytë personal, por goditja e tij u përplas në traversë.
Golin e katërt turqit e shënuan në minutën e 81-të. Ernest Poku mori një top në thellësi, u shkëput nga mbrojtja dhe me një goditje të saktë vulosi fitoren e thellë 4-1.
Me këtë rezultat, Besiktas e nis me tri pikë fushatën në Ligën e Evropës, ndërsa Marseille regjistron humbjen e katërt radhazi dhe vazhdon të përballet me një periudhë të vështirë.
Të gjitha rezultatet:
























