Malisheva me përmbysje mposht Ballkanin, Nikli ’74 mund Vushtrrinë
F.B/RTKLive
Kanë përfunduar dy ndeshjet e sotëm në kuadër të xhiros së shtatë në elitën e futbollit tonë.
Malisheva ka regjistruar një fitore të rëndësishme në shtëpi, duke e mposhtur Ballkanin me rezultat 2-1 në derbin e fundjavës në Superligën e Kosovës.
Ballkani e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi në minutën e 14-të. Albin Berisha realizoi një gol të bukur, duke e mposhtur portierin vendas dhe duke i dhënë skuadrës nga Suhareka avantazhin 1-0.
Malisheva reagoi pas golit dhe nisi të kërkonte më shumë hapësira në sulm. Përpjekjet e vendasve u shpërblyen në pjesën e dytë, kur fituan një penallti.
Xhemail Ibishi mori përgjegjësinë nga pika e bardhë dhe nuk gaboi, duke e rikthyer baraspeshën në 1-1 në minutën e 56-të.
Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi, Malisheva realizoi golin e fitores në fund të ndeshjes. Mark Bushaj, i cili sapo ishte inkuadruar në lojë, u bë heroi i vendasve duke shënuar në minutën e 89-të për 2-1.
Me këtë fitore, Malisheva shkon në kuotën e 16 pikëve dhe mban vendin e dytë në tabelë.
Ballkani, në anën tjetër, mbetet në pozitën e pestë me 10 pikë.
Fitore të rëndësishme ka shënuar edhe Feronikeli ’74 që në ‘Rexhep Rexhepi’ mundi Vushtrrinë, me rezultat 3-1.
Skuadra nga Drenasi kaloi në epërsi në minutën e 39-të. Kresimir Luetic përfitoi nga asistimi i Cërvadikut dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Luetic ishte sërish protagonist në pjesën e dytë. Sulmuesi realizoi golin e dytë personal në minutën e 64-t, këtë herë pas asistimit të Selmanit, duke e dyfishuar epërsinë e vendasve.
Vetëm katër minuta më vonë, Feronikeli ’74 shënoi edhe golin e tretë. Lorik Dobratiqi përfitoi nga asistimi i Prapashticës dhe realizoi për 3-0.
Vushtrria arriti të shënonte golin e nderit në minutën e 71-të. Kreshnik Bahtiri e mposhti portierin vendas pas asistimit të Maxhunit, por goli nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e ndeshjes.
Pas kësaj fitoreje, Feronikeli ’74 shkon në kuotën e gjashtë pikëve, ndërsa Vushtrria mbetet në fund të tabelës si skuadra e vetme pa pikë pas shtatë xhirove.























