Licencimi i udhërrëfyesve turistikë|VIDEO
BKT
Lajme

Licencimi i udhërrëfyesve turistikë|VIDEO

Qendresa Duraku/ RTK

Udhërrëfyesit turistikë në Kosovë kanë nisur të formalizojnë veprimtarinë e tyre përmes procesit të licencimit, pas vitesh operimi pa një sistem të plotë licencimi. Ministria e Turizmit thotë se deri tani janë licencuar 44 udhërrëfyes, ndërsa rreth 20 aplikime të tjera janë në shqyrtim. Krahas licencimit, në terren kanë nisur edhe inspektimet për të kontrolluar zbatimin e rregullave dhe përdorimin e udhërrëfyesve vendorë.

Shkeljet e rregullave mund të ndëshkohen me gjoba deri në 9 mijë euro për operatorët ekonomikë dhe deri në 3 mijë euro për personat fizikë.

Pas vitesh operimi pa një sistem të plotë licencimi, udhërrëfyesit turistikë në Kosovë tashmë po kalojnë në një proces formalizimi. Ministria e Turizmit thotë se 44 udhërrëfyes turistikë kanë marrë licencë, ndërsa rreth 20 aplikime të tjera po shqyrtohen.

Sipas Ministrisë, shumica e aplikuesve janë nga komuniteti shqiptar, por në proces janë përfshirë edhe udhërrëfyes nga komunitetet e tjera.

Megjithatë, këto shifra nuk mund të mblidhen për të nxjerrë numrin e personave të licencuar, pasi i njëjti udhërrëfyes mund të ketë licencë në më shumë se një kategori.

"Guidat e licensuara janë të të gjitha komuniteteve, kemi edhe të komunitetit boshnjak, të komunitetit turk por edhe të komunitetit serb. Normal që shumica e tyre janë qytetar të komunitetit shqiptar, por që nëse i ndajmë në kategorizimet se sa janë të licencuar do të kisha dhënë këtë numër të saktë, 29 guida ose udhërrëfyes janë të kategorisë guida ose udhërrëfyes turistik kombëtar, 11 guida janë udhërrëfyes turistik lokal edhe 10 guida janë udhërrëfyes turistik në fusha specifike haiking, treking e të tjera", tha Muhedin Nushi, këshilltar në Ministrinë e Turzimit.

Por licencimi është vetëm njëra anë e procesit. Mbetet çështja e kontrollit të zbatimit të këtyre rregullave në terren. Në mungesë të një Inspektorati të Turizmit, Ministria thotë se ka kërkuar mbështetje nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut.

“Deri më tani ata i kanë kryer 7 inspektime kryesisht të bazuara në qytetin e Prishtinës, te Katedralja, te New Born-i dhe në qytetin e Prizrenit, por po ashtu edhe në pikën kufitare të Hanit të Elezit”, tha Nushi

Rregullat parashohin edhe masa ndëshkuese. Për operatorët ekonomikë ose operatorët turistikë, gjobat mund të arrijnë deri në 9 mijë euro në rast të shkeljes së rregullave. Për personat fizikë dhe udhërrëfyesit që veprojnë pa respektuar kërkesat ligjore, gjoba mund të jetë deri në 3 mijë euro. 


MË SHUME NGA Lajme