15:11 / 21.09.2026
Arrestohet 21-vjeçari në Ferizaj pasi publikoi video me armë
M.Sh/RTKLive
Policia e Kosovës ka identifikuar dhe arrestuar një 21-vjeçar në Ferizaj, pasi dyshohet se kishte publikuar në rrjetet sociale një video në të cilën shfaqej me armë zjarri.
Sipas Policisë, njësia e hetimeve e Stacionit Policor në Ferizaj ka pranuar më 21 shtator një informatë lidhur me publikimin e videos.
Pas veprimeve hetimore në terren, policia ka identifikuar të dyshuarin, SH.M., 21 vjeç, dhe gjatë kontrollit i ka konfiskuar një armë pistoletë me gaz.
Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Pas intervistimit nga organet e rendit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të hetohet në procedurë të rregullt.























