Fundjavë vendimtare në pingpong, Liria dhe Lidhja e Prizrenit në duel për titull
Sh.Ç/RTKlive
Fundjava e shtatorit sjell përballjet e fundit të sezonit vjeshtor në Kampionatin e Kosovës në pingpong, me disa ndeshje që mund të jenë vendimtare për renditjen përfundimtare në kategoritë elitare.
Vëmendja kryesore në Superligën e Meshkujve do të jetë të dielën te përballja ndërmjet KPP Lirisë dhe KPP Lidhjes së Prizrenit, dy skuadrave që gjatë këtij sezoni kanë zhvilluar një garë të ngushtë për kreun e tabelës.
Liria e pret xhiron e fundit në pozitën e parë me 22 pikë dhe 11 fitore, ndërsa Lidhja e Prizrenit ka grumbulluar 21 pikë. Dueli direkt mes dy ekipeve pritet të jetë një nga ndeshjet kryesore të kësaj fundjave dhe do të luhet në kuadër të xhiros së fundit të sezonit vjeshtor.
Në Superligën e Femrave, KPP Liria e ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm, duke regjistruar nëntë fitore në po aq ndeshje dhe duke grumbulluar 18 pikë.
Në ndeshjen e fundit, Liria do të përballet me Gjilanin F, që aktualisht renditet në pozitën e dytë me 16 pikë.
Në Ligën e Parë të Meshkujve, gara për promovim tashmë është vendosur. KPP Ponte Prizreni dhe KPP Gani Maloku kanë siguruar kalimin në Superligë.
Ponte Prizreni ka dominuar kampionatin, duke regjistruar 13 fitore në 13 ndeshje dhe duke grumbulluar 26 pikë. Pas saj renditet Gani Maloku me 24 pikë.
Në xhiron e fundit, Ponte Prizreni do të përballet me TTC Ferizajn, në palestrën “Astrit Bytyçi”.
Ndërkohë, në Ligën e Parë të Femrave, Gani Maloku dhe Shkolla “Ahmet Hoxha” F ndajnë kreun me nga 21 pikë, ndërsa të dyja skuadrat kanë siguruar tashmë pozitat e para.
Interesim të veçantë sjell edhe play-off-i i Ligës së Dytë, i cili zhvillohet të dielën në palestrën “Astrit Bytyçi”, duke nisur nga ora 10:00.
Në gjysmëfinale do të përballen:
Skenderaj – Istogu
Llapusha – Ulpiana
Dy skuadrat që do t'i fitojnë gjysmëfinalet do të sigurojnë promovimin në Ligën e Parë, ndërsa ekipet humbëse do të vazhdojnë garat në Ligën e Dytë.
Ndeshjet e fundit të Superligës M&F dhe Ligës së Parë M&F do të zhvillohen më 26 dhe 27 shtator, në palestrat “Tefik Çanga” dhe “Astrit Bytyçi”, në një fundjavë që pritet të sjellë përballje të rëndësishme për renditjen dhe përfundimin e sezonit vjeshtor në pingpongun kosovar.























