Kuka tërheq vërejtjen për `ngecjen e madhe` në sport
Sh.Ç/RTKlive
Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, ka tërhequr vërejtjen për atë që e konsideron si `ngecje të madhe` në sportin kosovar, duke vënë theksin te mungesa e normave olimpike në shumicën e federatave.
Kuka, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se niveli i sportit të një vendi, ndër të tjera, matet edhe përmes normave olimpike të siguruara.
Ai ka theksuar se xhudoja vazhdon të jetë sporti që i ka sjellë Kosovës shumicën e normave olimpike dhe medaljet e fituara deri më tani.
“Ekipi i xhudos tash e disa muaj ka nisur ciklin Olimpik kualifikues për #LA2028. Distria, Laura e Akili besoj shumë që do arrijnë kualifikimin. Shpresoj shumë që ndoshta edhe një Normë më shumë ta kemi”, ka shkruar Kuka.
Ai ka përmendur edhe mundësinë e kualifikimit të Shpatit, por ka vënë theksin te përkushtimi i sportistit.
“Sipas formes e nëse përkushtohet ndoshta Shpati do kishte gjasa reale. Por vetëm nëse përkushtohet!”, ka deklaruar ai.
Kuka ka thënë se sportistët e tjerë që ai priste të afroheshin me normat olimpike, aktualisht janë larg këtij objektivi.
“Garues tjerë që mendoja që do afrohen te Norma për momentin janë larg këtij qëllimi. Qëllimet arrihen me punë e përkushtim e jo me fjalë e improvizime”, ka shkruar ai.
Sipas Kukës, objektivi kryesor në sportet olimpike duhet të jetë pjesëmarrja në Lojërat Olimpike.
“Në Sportet Olimpike qëllimi janë vet Lojërat Olimpike!”, ka theksuar ai.
Duke folur për sportet e tjera, Kuka ka përmendur edhe atletën Donjeta Sadiku, duke thënë se pret që ajo të kualifikohet për Lojërat Olimpike.
“Në sportet tjera besoj që Donjeta do kualifikohet dhe me kaq mbyllet numri që unë i shoh për Lojëra Olimpike nga prodhimi ynë vendor”, ka shkruar Kuka.
Një pjesë të postimit ia ka kushtuar edhe natyralizimit të sportistëve, praktikë që, sipas tij, aplikohet në vende të ndryshme të botës.
“Natyralizimi apo blerja e sportistëve ndodh në krejt Botën po ndodh edhe te ne, por a mund të krenohemi apo krekosem me këto arritje patjetër që jo!”, ka deklaruar Kuka.
Në fund, ai ka kritikuar mungesën e fokusit te normat olimpike në federatat sportive.
“E çka po shoh për mua është ngecje e madhe marr parasysh që as që flitet shumë për norma Olimpike në federata Olimpike!”, ka shkruar ai.
Kuka ka kërkuar që Komiteti Olimpik i Kosovës ta ketë në fokus ciklin e ardhshëm olimpik dhe përgatitjet për Los Angeles 2028.
“Komiteti Olimpik fokusin ta ketë në Los Angelos 2028, kjo është prioriteti i Kosovës në sport, të kërkohet përgjegjësi prej çdo sportisti e sidomos ata që përkrahen me Bursa Olimpike”, ka përfunduar ai.























