Kurti takon Plenkoviqin, flasin për Specialen, arkivat e Serbisë dhe sigurinë
BKT
Lajme

Kurti takon Plenkoviqin, flasin për Specialen, arkivat e Serbisë dhe sigurinë

G.K/RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se është takuar me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, marrëdhëniet ekonomike e tregtare, aktgjykimin e Dhomave të Specializuara, arkivat e Serbisë dhe çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

Kurti ka thënë se Kosova dhe Kroacia kanë bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërsa synojnë thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare.

“Krahas sigurisë dhe mbrojtjes, fusha në të cilat veçse kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm, synojmë thellimin e marrëdhënieve ekonomike e tregtare”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se gjatë këtij viti Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë.

“Përveçse rritje të qëndrueshme të ekonomisë, që këtë vit pritet të tejkalojë në 12 miliardë euro nga 7 sish sa ishte në vitin e parë të qeverisjes sonë, kemi forcuar sundimin e ligjit sikurse kemi shënuar përparim demokratik”, ka shkruar ai.

Kurti ka bërë të ditur se në takim ka folur edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara.

“Si dy vende që kanë luftuar për çlirim e pavarësi nga i njëjti regjim, si ai i Millosheviqit, dihet mirëfilli se kush ka kryer krime në katër luftërat në ish-Jugosllavi. Lufta e drejtë e popullit të Kosovës ka qenë e pastër dhe çlirimtare karshi regjimit gjenocidal të Serbisë. Prandaj, theksova se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara, përveçse i pasaktë, është i padrejtë dhe i rëndë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shkruar edhe për arkivat e Serbisë, duke thënë se hapja e tyre është thelbësore për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.

“Krahas mohimit e fshehjes krimeve të kryera në Kosovë, Serbia vazhdon t’i mbajë të mbyllura dhe klasifikuara arkivat e saj, hapja e të cilave është thelbësore për zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për të vërtetën dhe për drejtësinë”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka përmendur edhe komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës.

“Në anën tjetër, fqinji verior, në mënyrë sistematike, vazhdon spastrimin etnik administrativ ndaj komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës nëpërmjet pasivizimit të adresave dhe përjashtimit nga institucionet”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit, me Kroacinë është rritur edhe bashkëpunimi ushtarak dhe në fushën e mbrojtjes.

“Me Kroacinë kemi rritur bashkëpunimin ushtarak edhe në fushën e mbrojtjes, për çka shpreha vlerësimin tim në takim. Duke theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Kartën e Adriatikut, falënderova Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur në procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik, si dhe në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë në rajon”, ka shkruar Kurti. 


MË SHUME NGA Lajme