Protestë para OKB-së në New York kundër vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
BKT
Lajme

Protestë para OKB-së në New York kundër vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Sh.Çoçaj/RTKlive

Shumë shqiptarë të mbledhur në New York kanë protestuar të martën pranë selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në rastin ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protestuesit kanë kërkuar rishikimin e vendimit dhe lirimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Në mesin e pankartave të bartura gjatë protestës ishin mesazhe si “Drejtësi, jo politikë”, “Lironi heronjtë tanë” dhe “Heronj të luftës e të paqes”.

Në disa prej pankartave protestuesit ngritën edhe çështjen e viktimave civile gjatë luftës në Kosovë, duke kërkuar që përgjegjësit për krimet ndaj civilëve të trajtohen nga drejtësia.

Protesta në New York vjen pas tubimeve të zhvilluara ditët e fundit në Kosovë dhe në disa vende të tjera ku jeton komuniteti shqiptar, përfshirë Kanadanë, Zvicrën, Gjermaninë dhe Austrinë.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale shpalli vendimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim, për veprat për të cilat u shpallën fajtorë.


MË SHUME NGA Lajme