Federata Irlandeze me udhëzime për tifozët para sfidës në Prishtinë
BKT
Sport

Federata Irlandeze me udhëzime për tifozët para sfidës në Prishtinë

Sh.Ç/RTKlive

Federata Irlandeze e Futbollit u ka përcjellë disa këshilla tifozëve që do të udhëtojnë në Prishtinë për përballjen ndaj Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në udhëzimin e publikuar para ndeshjes, Prishtina përshkruhet si një qytet përgjithësisht i sigurt dhe mikpritës për tifozët mysafirë. Megjithatë, federata u ka bërë thirrje mbështetësve të saj që të kenë kujdes me sendet personale, sidomos në hapësirat ku pritet të ketë grumbullime të mëdha.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe përdorimit të flamujve. Sipas njoftimit, flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë janë shumë të pranishëm në Prishtinë, ndërsa tifozëve irlandezë u është rekomanduar të shmangin shfaqjen e flamujve të tjerë nga rajoni, përfshirë simbole të periudhave të ndryshme historike.

Këto udhëzime janë publikuar në prag të ndeshjes Kosovë–Irlandë, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45.

Përballja pritet të sjellë në kryeqytetin kosovar edhe një numër të konsiderueshëm të tifozëve irlandezë, të cilët do të jenë pjesë e atmosferës së krijuar rreth ndeshjes.