Gjini pas vendimit të Kushtetueses: Kosova shkon në zgjedhje për fajin e Kurtit
BKT
Lajme

Gjini pas vendimit të Kushtetueses: Kosova shkon në zgjedhje për fajin e Kurtit

M.Sh/RTKLive

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Gjini ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se afatet për konstituimin e Kuvendit janë konsumuar, duke vlerësuar se AAK-ja e kishte paralajmëruar një situatë të tillë.

“Aleanca e ka përsëritur një gjë të tillë tash e sa kohë. E kemi dëshmuar qartë dhe me kohë se që prej 7 qershorit e deri më sot, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara e ka zvarritur kohën vetëm për ta çuar vendin në zgjedhje prapë”, ka shkruar Gjini në Facebook.

Sipas tij, AAK-ja këtë qëndrim e ka shprehur në vazhdimësi.

“Tash Kosova shkon në zgjedhje, qartazi me një fajtor të vetëm: Albin Kurti”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka nxjerrë vendin nga një situatë e paparashikuar, duke iu referuar edhe datës 6 tetor.

“Gjykata Kushtetuese e nxori Kosovën prej një momenti të paparashikuar krize, 6 tetorin. E të cilën datë po ashtu partia që i fitoi zgjedhjet e kaluara e priste”, ka shkruar ai.

Gjini ka kritikuar edhe atë që e konsideron shkelje të Kushtetutës, duke thënë se një veprim i tillë nuk mund të arsyetohet me motive patriotike.

“Shkeljet kushtetuese kurrë nuk kanë arsye patriotike. Çdo shkelje kushtetuese, kurdo dhe kudo qoftë ajo, bëhet vetëm me qëllim të mbajtjes së pushtetit në mënyrë të paligjshme”, ka shkruar Gjini.

Në fund, ai ka thënë se, sipas tij, qytetarët e Kosovës i kanë të qarta zhvillimet politike dhe interesat partiake të akterëve politikë.

“Populli i Kosovës e ka të qartë çdo lojë politike për interesa të ngushta partiake të cilitdo akter, dhe po ashtu e ka të qartë se kush ofron zgjidhje që sjellin jetë më të mirë për qytetarët”, ka përfunduar Gjini.


MË SHUME NGA Lajme