Krasniqi: Takimi me Haxhiun pas vendimit të Kuvendit
BKT
Foto: Nga profili i A.Krasniqi
Lajme

Krasniqi: Takimi me Haxhiun pas vendimit të Kuvendit

G.K/RTKlive

Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka publikuar një letër në emër të familjeve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, përmes së cilës bëhet thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar.

Në letrën e publikuar nga Krasniqi, tri familjet kanë shprehur mirënjohje për popullin e Kosovës për mbështetjen, solidaritetin dhe qëndrimin e vazhdueshëm ndaj procesit gjyqësor në Hagë.

“Ne, familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, bëjmë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar në këto momente”, thuhet në letrën e publikuar nga Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se familjet presin sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara.

Krasniqi, në emër të tri familjeve, ka thënë se e vlerësojnë ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, por se presin që takimi të zhvillohet pas vendimit të Kuvendit.

“E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në letrën e publikuar nga Krasniqi.

Nga Presidenca kanë konfirmuar për RTKlive se ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i ka ftuar në takim familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Takimi ishte paraparë të zhvillohej gjatë kësaj jave në Presidencë. 


MË SHUME NGA Lajme