Nata e tetë e protestës në Prishtinë kundër aktgjykimit të Speciales
BKT
Foto: H.Demaku/RTK
Lajme

Nata e tetë e protestës në Prishtinë kundër aktgjykimit të Speciales

G.K/RTKlive

(E përditësuar) Për të tetën natë me radhë, qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të protestuar kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protestuesit po kundërshtojnë aktgjykimin e Gjykatës Speciale dhe po kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Pjesëmarrësit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Jo në emrin tim” dhe “Liria ka emër”, si dhe flamuj kombëtarë e të UÇK-së.

Një nga organizatorët e protestës, Çlirim Haziri, u bëri thirrje institucioneve që të veprojnë sa më shpejt lidhur me kërkesat e protestuesve, përfshirë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe mbështetjen financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

"Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të trajtohet dhe votohet sa më shpejt. Mbështetja me fonde për mbrojtjen e çlirimtarëve është kërkesë e jona", tha ai. 

Ai falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe tha se protestat po vazhdojnë kundër asaj që e cilësoi si padrejtësi dhe shtrembërim të historisë së UÇK-së.

"Çdo natë populli erdhi në shesh, sepse UÇK-ja është e popullit dhe populli është i UÇK-së. Edhe sonte dua t’ju falënderoj për qëndresën, për besimin dhe për ngritjen e zërit kundër padrejtësisë. Populli i Kosovës nuk e duron padrejtësinë. Padrejtësia e Millosheviqit e lindi UÇK-në. E padrejtësia e Gjykatës Speciale e zgjoi popullin prapë. Më shumë se 26 vjet më parë, regjimi i Millosheviqit deshi ta shtypte popullin tonë. E ne u bëmë bashkë kundër shtypjes. E sot, kur po shtrembërohet historia jonë, po bëhemi bashkë kundër harresës dhe kundër shtrembërimit të së vërtetës”, theksoi Haziri.

Tubimet në sheshin “Skënderbeu” po vazhdojnë që nga 16 shtatori, kur u shpall aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. 

 

 


MË SHUME NGA Lajme