Nata e nëntë, protestuesit kërkojnë veprim institucional
Sh.Çoçaj/RTKlive
Për të nëntën natë me radhë, qytetarë u mblodhën në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në protestën “Jo në emrin tim”, kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestuesit shprehën mbështetjen e tyre për UÇK-në, ndërsa kërkesa kryesore e protestës së sontme iu drejtua Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që në mbledhjen e nesërme ta përfshijë në rend dite Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kërkesa vjen një ditë para mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila është thirrur me pika të tjera në rendin e ditës. Protestuesit kërkuan që projektligji të trajtohet me përparësi.
Protesta “Jo në emrin tim” po mbahet çdo mbrëmje në Prishtinë që nga 16 shtatori, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Para protestuesve foli organizatori i protestës, Çlirim Haziri, i cili fjalimin e tij e nisi duke kërkuar një minutë heshtje në nderim të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator 2023 në Banjskë.
“Vëllezër dhe motra! Para se ta ngremë zërin sonte, kemi një detyrim. Sot është 24 shtatori. Tre vjet më parë, në Banjskë, në mbrojtje të Republikës së Kosovës, ra në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku. Prandaj, në nderim të jetës dhe sakrificës së tij, ju ftoj të gjithëve: një minutë heshtje! Lavdi heroit Afrim Bunjaku! Lavdi të gjithë atyre që ranë për Kosovën!”, tha Haziri.
Në fjalimin e tij, Haziri iu referua edhe gjashtëvjetorit të arrestimit dhe transferimit në Hagë të Salih Mustafës, duke e lidhur këtë datë me zhvillimet e fundit dhe protestat në Prishtinë.
“Vëllezër dhe motra, 24 shtatori mban edhe një datë tjetër. Sot janë bërë plot gjashtë vjet nga arrestimi dhe transferimi në Hagë i Salih Mustafës. Gjashtë vjet! Dhe sot, gjashtë vjet më vonë, Kosova ende po përballet me pasojat e këtij procesi”, tha ai.
Haziri më pas iu referua vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Nëntë ditë prej vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, vendim që ne e konsiderojmë thellësisht të padrejtë. Ata burra nuk i theu burgu. Nuk i theu largësia nga Kosova. Nuk i theu as vendimi. Por sonte pyetja është: çfarë po bëjmë ne?! Çfarë po bëjmë ne këtu në Kosovë? Çfarë po bëjnë institucionet tona? Çfarë po bën Kuvendi ynë?”, tha ai.
Sipas Hazirit, mbështetja nnuk duhet të kufizohet vetëm në deklarata.
Kërkohet nga Kryesia e Kuvendit përfshirja e projektligjit në rend dite
Haziri tha se vëmendja e protestuesve nuk është vetëm te zhvillimet në Hagë, por edhe te mënyra se si institucionet e Kosovës po trajtojnë kërkesat e tyre.
Ai iu referua mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila pritet të mbahet nesër në orën 11:00.
“Dhe pikërisht për këtë, sonte nuk dua të flas vetëm për Hagën. Sonte dua të flas për Prishtinën! Nesër, në ora 11:00, mblidhet Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës. E kemi para vetes rendin e ditës. Gjashtëmbëdhjetë pika! Komisione. Raporte. Udhëtime. Shpenzime. Por kërkesa për të cilën qytetarët po qëndrojnë në këtë shesh — nuk është aty!”, tha ai.
Organizatori i protestës kërkoi nga anëtarët e Kryesisë që të marrin qëndrim lidhur me kërkesën e protestuesve.
“Dhe unë sonte kam vetëm një pyetje për ata që nesër do të ulen në atë sallë: a është apo nuk është urgjencë për ju kjo çështje? Nëse është veproni! Nëse nuk është dilni dhe tregojuni qytetarëve pse nuk është!”, theksoi ai.
Sipas tij, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje për trajtimin e kërkesës së tyre.
Haziri tha se institucionet nuk duhet të mjaftohen vetëm me deklarata në lidhje me mbështetjen për UÇK-në, por duhet të marrin vendime për kërkesat e qytetarëve.
“Nuk mjafton më të na thoni se na kuptoni. Nuk mjafton të thoni se jeni me UÇK-në. Institucionet nuk maten vetëm me deklarata. Institucionet maten me vendime!”, tha ai, duke kërkuar që çështja të mos shtyhet nga një mbledhje në tjetrën.
Haziri theksoi se protestuesit, sipas tij, do të vazhdojnë t’i ndjekin kërkesat përmes mjeteve demokratike dhe ligjore.
“Ne nuk kërcënojmë askënd. Por po ju paralajmërojmë qytetarisht: mos e matni vendosmërinë tonë me numrin e ditëve që kemi qëndruar këtu! Sepse nëse heshtja vazhdon, edhe reagimi ynë qytetar do të rritet. Nuk kërkojmë favore. Kërkojmë përgjigje!”, tha ai.
Organizatori deklaroi se protestuesit do t’i adresojnë kërkesat e tyre në institucionet përkatëse.
“Nëse institucionet nuk u përgjigjen kërkesave të qytetarëve, ne do t’i ndjekim ato kërkesa me çdo mjet demokratik dhe ligjor. Në Kuvend. Në Qeveri. Në çdo institucion që ka përgjegjësi”, theksoi ai.
Haziri tha se protestuesit do të kërkojnë përgjigje nga institucionet.























