Gjykimi për Masakrën e Mejës mund të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve
Sh.Ç/RTKlive
(E plotësuar) Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është zhvilluar seanca fillestare e përsëritur lidhur me rastin e Masakrës së Mejës dhe fshatrave përreth, ku 53 persona akuzohen për vepra të rënda penale, përfshirë vrasjen e civilëve, dëbimin e popullsisë, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pasurisë.
Në seancë, Prokuroria Speciale ka mbështetur qëndrimin e saj se janë përmbushur kushtet ligjore që procedura gjyqësore të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve.
Prokurori Ilir Morina deklaroi se Prokuroria mbetet pranë qëndrimit të paraqitur në seancën e mëparshme dhe vlerëson se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të mundësuar vazhdimin e procedurës.
Nga ana tjetër, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra bëri të ditur se gjykata ka ndërmarrë përpjekjet e parapara me ligj për sigurimin e pranisë së të akuzuarve. Megjithatë, për shkak të pamundësisë për t’i siguruar ata, gjykata ka konstatuar se plotësohen kushtet për zhvillimin e gjykimit në mungesë.
Mbrojtësit e të akuzuarve janë njoftuar se kanë afat 30-ditor për të paraqitur në gjykatë kërkesat për kundërshtimin e provave, si dhe kërkesat për hudhjen e aktakuzës.
Seanca e sotme u mbajt pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila kishte urdhëruar përsëritjen e seancës fillestare, duke kërkuar që të ndërmerreshin edhe hapa të tjerë ligjorë për sigurimin e të akuzuarve.
Seanca e parë fillestare në këtë rast ishte mbajtur më 16 qershor 2025, ndërsa pas vendimit të Apelit çështja u kthye në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rishqyrtim të kësaj faze të procedurës.
Nis gjykimi ndaj 53 të akuzuarve për krimet në Mejë dhe rrethinë
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj 53 personave të akuzuar për krimet e kryera gjatë luftës së vitit 1999 në Mejë dhe disa fshatra të rajonit të Gjakovës.
Seanca e radhës po zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, të cilët përfaqësohen nga avokatët e tyre. Seanca paraprake ishte shtyrë për shkak të mungesës së tre mbrojtësve.
Rasti lidhet me ngjarjet e prillit të vitit 1999, kur në Mejë dhe në fshatrat përreth u vranë dhe u zhdukën një numër i madh civilësh shqiptarë të Kosovës. Sipas të dhënave të përfshira në aktakuzë, trupat e viktimave u gjetën më vonë në varreza masive në Batajnicë të Serbisë.
Seanca e parë fillestare për këtë çështje ishte mbajtur më 16 qershor 2025. Gjatë saj, gjyqtarja Violeta Namani-Hajra kishte deklaruar se gjykata nuk kishte informacion për vendndodhjen e të akuzuarve. Prokurori Ilir Morina kishte bërë të ditur se ndaj tyre ishin lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare.
Aktakuza është ngritur në dhjetor 2023 dhe është plotësuar në prill 2024. Ajo përfshin 53 persona, në mesin e të cilëve edhe zyrtarë dhe komandantë të strukturave ushtarake e të sigurisë të atëhershme serbe.
Sipas aktakuzës, aksioni në zonën e Mejës dhe fshatrave përreth ka zgjatur nga 27 deri më 29 prill 1999. Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme në organizimin dhe koordinimin e forcave që kanë marrë pjesë në operacion.
Në aktakuzë thuhet se vetëm në Mejë janë vrarë 270 civilë, ndërsa 13 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur. Në Korenicë, sipas të njëjtit dokument, janë vrarë 64 civilë dhe dy persona figurojnë ende si të pagjetur. Viktima dhe persona të zhdukur janë evidentuar edhe në Pacaj, Dobrosh, Rracaj, Nec, Ramoc dhe Bishtazhin.
Prokuroria pretendon gjithashtu se gjatë operacionit banorët civilë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa pasuria e tyre është plaçkitur dhe shkatërruar. Sipas aktakuzës, kolonat e të dëbuarve janë ndalur në pika kontrolli në Mejë, Korenicë dhe Orizë, ku një numër burrash dyshohet se janë ndarë nga pjesa tjetër e kolonave.
Aktakuza përshkruan edhe pretendimet se civilëve u janë marrë dokumentet personale, paratë dhe sendet me vlerë, para se ata të detyroheshin të vazhdonin rrugën drejt Shqipërisë.
Mbahet gjykimi në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejës
Mbahet gjykimi në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për Masakrën e Mejës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në dhjetor të vitit 2023 ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës. Aktakuza u ndryshua më 23 dhjetor 2024. Të gjithë të pandehurit, deri tani gjenden në arrati.
Gjykata e Apelit përmes vendimit të 25 majit 2026, e kishte kthyer në rivendosjes vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit kjo e fundit kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës
Sipas aktakuzës, të akuzuarit në periudhën 1998-1999, gjatë kohës së luftës, në fshatrat e Komunës së Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje si pjesë e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, të pandehurit kanë kryer veprat për të cilat akuzohen, në këto cilësi: Momir Stojanoviq- si shef i Departamentit të Sigurisë së Komandës në Korpusin e Prishtinës, Sreten Çamoviq- Shef i Departamentit të Shtetit për Siguri (UDB), Nikolla Miqunoviq-Komandant i Njësive Rezervë, Millovan Kovaçeviq- Shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë, Sergej Peroviq- Shef i Sigurimit në Brigadën 52 të Artilerisë dhe Raketave të Mbrojtjes Ajrore në Garnizonin e Gjakovës, Korpusi i Prishtinës- Armata III, Verolub Zhivkoviq- Komandant i Postëkomandës Pararojë dhe Shefi i Shtabit të Korpusit të Prishtinës, Millan Kotur- Shef i Këmbësorisë në Komandën e Korpusit të Prishtinës, Radomir Çoliq- Komandant i Njësive “Posebne Jednice Policije” (PJP) të Policisë në Gjakovë, Dragutin Josifoviq- Komandant i Stacionit Policor në fshatin Ponoshevc të Gjakovës, Franko Simatoviq- Komandant i Stacionit Paramilitar “Jedinica za Specijalne Operacije” (JSO), Momçillo Stanojeviq- Komandant i Mbrojtjes Territoriale, Vllatko Vukoviq- Komandant i Batalijonit të Dytë të Brigadës së Motorizuar, Ilija Todorov-Komandant i Brigadës 63 parashutiste.























