Drejtësi në mungesë për Mejën
BKT
Lajme

Drejtësi në mungesë për Mejën

Visar Shatrolli/ RTK

Një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë, Masakra e Mejës, po tenton të marrë epilog ligjor. Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë dritën e gjelbër që procesi ndaj 53 të akuzuarve, kryesisht ish-pjesëtarë të strukturave ushtarake dhe të sigurisë serbe, për vrasjen e qindra civilëve shqiptarë dhe dëbimin e popullsisë, të zhvillohet në mungesë.

Krimet e prillit të vitit 1999 në Mejë dhe fshatrat përreth, rikthehen në sallën e gjyqit, ku banka e të akuzuarve mbeti tërësisht e zbrazët. Në seancën fillestare të përsëritur për njërën nga masakrat më makabre të luftës në Kosovë, trupi gjykues dha dritën e gjelbër që procesi ndaj 53 pjesëtarëve të forcave serbe të vazhdojë pa praninë e tyre.

Vendimi pason kërkesën e Apelit, e cila kishte kërkuar verifikimin e hapave për sigurimin e të pandehurve.

“Ne qëndrojmë pranë elaborimit të dhënë në seancën e kaluar, sa i përket rolit të Prokurorisë ne konsiderojmë që janë plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë”, tha Ilir Morina, prokuror për Krime Lufte në PSRK.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon strukturën e përbashkët kriminale serbe, kryesisht ish-pjesëtarë të strukturave ushtarake dhe të sigurisë për organizimin dhe zbatimin e operacionit. Vetëm në fshatin Mejë u vranë 270 civilë të paarmatosur, ndërsa qindra të tjerë u ekzekutuan në fshatrat përreth. Për të fshehur gjurmët, trupat e shumë prej tyre u transportuan në Serbi dhe u gjetën vite më vonë në varrezat masive në Batajnicë.

Gjyqtarja e rastit bëri të ditur se pavarësisht fletarrestimeve, prania e të akuzuarve nuk u arrit.

“Në rastin konkret janë bërë përpjekje të arsyeshme për të njoftuar të akuzuarit e lartë cekur për shqyrtimin fillestar dhe siguruar praninë e tyre. Anaj Gjykata konfrom nenit 303 paragrafi 4 KPP merr aktvendim, mbahet gjykimi në mungesë ndaj të pandehurëve të lartëcekur pasi gjykata vlersuar kushtet ligjore nga neni 303 7 dhe 8 i Koditë të procedurës penale", tha Violeta Namani-Hajra, gjyqëtare në Gjykatën Themelore.

Ndonëse pas këtij vendimi mbrojtjes i janë lënë 30 ditë afat për kundërshtimin e provave, plagët e këtij krimi mbeten ende të hapura. Përveç vonesës së drejtësisë për më shumë se dy dekada, për familjarët e viktimave ankthi vazhdon, pasi 13 persona nga kjo masakër mbeten ende të pagjetur


MË SHUME NGA Lajme